Disa kompani të mëdha të kafesë dhe tregtarë të lëndëve të para kanë nisur një sistem të ri për të gjurmuar shpyllëzimin e lidhur me kultivimin e kafesë në mbarë botën, njoftoi të mërkurën JDE Peet’s.
Nisma, e quajtur Coffee Canopy Partnership, do të përdorë imazhe satelitore nga Airbus të kombinuara me modele të inteligjencës artificiale për të hartëzuar fermat e kafesë dhe për të identifikuar humbjen e pyjeve pranë tyre.
Sipas kompanive, qëllimi është të përcaktohen saktë zonat problematike dhe të punohet me qeveritë dhe komunitetet lokale për restaurimin e pyjeve dhe parandalimin e shpyllëzimit në të ardhmen.
Në program marrin pjesë, mes të tjerash, Tchibo dhe tregtarët Louis Dreyfus Company, Sucden, Neumann Kaffee Gruppe, Touton dhe Sucafina, përkrah JDE Peet’s.
Sistemi do të nisë fillimisht në Afrikën Lindore, duke mbuluar Etiopinë, Tanzaninë, Kenian, Ugandën, Burundin dhe Ruandën, me synimin për shtrirje globale deri në vitin 2027.
Nisma lidhet edhe me Rregulloren e BE-së kundër shpyllëzimit, e cila pritet të hyjë në fuqi më 30 dhjetor për korporatat e mëdha, pasi kompanitë thonë se hartat e pasakta mund t’i klasifikojnë gabimisht fermat si pyje dhe të rrezikojnë përjashtimin e fermerëve të vegjël nga tregjet e BE-së. /Telegrafi/