Dukagjini ka shënuar fitore ndaj Ballkanit me rezultat 3-2 në stadiumin “18 Qershori”, në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, duke siguruar kualifikimin në finale.
Klinasit kishin fituar edhe ndeshjen e parë si mysafir, bindshëm me rezultat 3-0, dhe me rezultat të përgjithshëm 6-2 kalojnë tutje.
Elton Basri e hapi serinë e golave në minutën e 25-të, duke shënuar për 1-0 në të mirë të Dukagjinit. Por Ballkani barazoi pas dhjetë minutash, kur Bleart Tolaj realizoi për 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë, Ballkani mori epërsinë, teksa Tolaj shënoi sërish në minutën e 51-të për 2-1. Dukagjini nuk u ndal dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 65-të, kur Mërgim Pefqeli shënoi për 2-2.
Në minutat e fundit, vendasit gjetën edhe golin e fitores: Dieni Isufi realizoi për 3-2, rezultat që mbeti deri në fund.
Dukagjini arrin finalen e Kupës së Kosovës për herë të katërt në histori, ndërsa do të kërkojë ta fitojë këtë trofe për herë të parë. /Telegrafi/