Fabio Capello ka këshilluar Juventusin dhe Milanin se kë duhet të transferojnë për të luftuar për titullin e Serie A në sezonin 2026/27.
Ndërsa dy klubet po përgatiten të përballen këtë fundjavë në një duel të rëndësishëm për zonën e Ligës së Kampionëve, Gazzetta dello Sport ka intervistuar trajnerin që ka fituar titullin si në Torino ashtu edhe në Milano.
Interi, sipas tij, tashmë e ka “mbyllur” garën për këtë sezon, duke qenë 12 pikë përpara në krye të tabelës, por vëmendja është zhvendosur te sezoni i ardhshëm.
“Unë mendoj se Juventusi është më i pozicionuar për të sfiduar vitin e ardhshëm”, deklaroi Capello.
“Luciano Spalletti ka më shumë lojtarë në kulmin e karrierës së tyre, po e mbyll sezonin me momentum dhe rinovimet e kontratave të trajnerit, Kenan Yildiz, Weston McKennie dhe Manuel Locatelli tregojnë se klubi ka ide të qarta”.
Sipas tij, rinovimi i figurave kryesore sjell stabilitet dhe shmang thashethemet e afatit kalimtar.
Ndryshe është situata te Milani i Massimiliano Allegrit, ku situata e shumë lojtarëve – nga trajneri deri te Rafael Leao dhe madje edhe Luka Modric, mbetet e paqartë për të ardhmen e tyre.
“Modric e ka mbajtur Milanin për shumë pjesë të këtij sezoni, por nëse qëndron, a mund ta përsërisë këtë formë në moshën 41 vjeç?”, pyeti Capello.
Ai gjithashtu dha një këshillë të qartë për të dy klubet, duke theksuar se nuk nevojiten shumë afrime, por vetëm disa përforcime cilësore.
“Gjithmonë kam thënë se nuk duhen pesë apo gjashtë blerje, por vetëm dy ose tre lojtarë të nivelit të lartë. Unë do të zgjidhja Bernardo Silva te Juventusi, sepse ai është gjithmonë në vendin e duhur në kohën e duhur dhe në moshën 31-vjeçare ende mund të bëjë diferencën në Serie A”.
“Ardhja e Bernardo Silvës mund të ketë ndikim të ngjashëm me atë që pati Andrea Pirlo te Juventusi i Antonio Contes”, përfundoi ish-tekniku italian./Telegrafi/