Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj mënyrës së hartimit dhe miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar procesin si të mangët në transparencë dhe pjesëmarrje publike.
Në reagimin publik, GLPS vlerëson se, ndonëse nisma ligjore është e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit, mënyra se si është menaxhuar nga Qeveria dhe Kuvendi ka qenë e papërshtatshme dhe jo në përputhje me standardet demokratike.
Sipas GLPS-së, procesi është karakterizuar nga mungesë e konsultimeve të mirëfillta publike dhe përfshirje të kufizuar të shoqërisë civile, ndërsa dëgjimi publik i organizuar në fazat e fundit është konsideruar i pamjaftueshëm dhe i zhvilluar pa kohë të mjaftueshme për shqyrtim substancial.
“Dëgjimi publik i paralajmëruar nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë konsultimet publike të mirëfillta, gjithëpërfshirëse dhe në kohë të duhur,” thuhet në reagim.
GLPS thekson se projektligji, i cili prek të drejtën themelore të pronës, është tejet kompleks dhe ka kërkuar një qasje më transparente dhe më gjithëpërfshirëse, sidomos duke marrë parasysh se është shqyrtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Organizata gjithashtu shpreh shqetësim se jo të gjitha rekomandimet e këtyre institucioneve janë adresuar në mënyrë të plotë, duke paralajmëruar se kjo mund të krijojë precedent të rrezikshëm në procesin legjislativ.
Në përfundim, GLPS vlerëson se procedimi i projektligjit ka qenë i nxituar dhe i mbyllur, duke cenuar, sipas tyre, cilësinë dhe legjitimitetin demokratik të aktit ligjor.
“GLPS nuk do të jetë pjesë e proceseve që injorojnë parimet bazë të transparencës dhe llogaridhënies,” theksohet në reagim.