Nemo, këngëtari zviceran që triumfoi në Eurovision 2024, ka bërë të ditur të enjten se ka vendosur të kthejë trofeun e fitores, si formë proteste ndaj lejimit të Izraelit të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të festivalit.
Artisti 26-vjeçar, i cili u bë fituesi i parë jo-binar i konkursit, argumentoi se ka një konflikt të qartë mes vlerave të Eurovisionit, unitet, përfshirje dhe dinjitet për të gjithë, dhe vendimit për të mirëpritur Izraelin në garë.
Në një postim në Instagram, Nemo u shpreh: “Edhe pse jam jashtëzakonisht mirënjohës për komunitetin rreth këtij konkursi dhe gjithçka që kjo përvojë më ka mësuar si person dhe artist, sot nuk ndiej më se ky trofe i përket raftit tim”.
Ky hap vjen në një periudhë të tensionuar për Eurovision 2026, i cili tashmë po përballet me bojkot pasi pesë vende, Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia, të cilave iu shtua këtë javë edhe Islanda, kanë njoftuar tërheqjen në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të EBU-së për të mos përjashtuar Izraelin, mes luftës në Gaza. Bordi i transmetuesit islandez RÚV votoi të mërkurën kundër pjesëmarrjes.
Nemo shtoi: “Nuk bëhet fjalë për individë apo artistë. Konkursi është përdorur vazhdimisht për të zbutur imazhin e një shteti të akuzuar për shkelje të rënda, ndërsa EBU insistonte se Eurovision është ‘jo-politik’. Kur vende të tëra tërhiqen për shkak të kësaj kontradikte, duhet të kuptohet se diçka nuk shkon. Për këtë arsye kam vendosur të dërgoj trofeun tim në selinë e EBU-së në Gjenevë”.
Nemo/Instagram
Nga ana tjetër, transmetuesi izraelit Kan ka mbështetur vazhdimin e pjesëmarrjes së Izraelit, duke mohuar çdo ndikim politik. Presidenti Isaac Herzog deklaroi se Izraeli meriton të përfaqësohet në çdo skenë në botë.
Ambasada izraelite në Norvegji, e cila mbulon edhe marrëdhëniet me Islandën shprehu zhgënjim për vendimin e RÚV, duke e cilësuar atë krejtësisht kundër frymës së konkursit.
Me rreth gjashtë muaj deri në Eurovision 2026, 34 shtete figurojnë aktualisht në listën e pjesëmarrësve, por disa ende nuk kanë dhënë konfirmim përfundimtar.
BBC, e cila zgjedh brenda institucionit përfaqësuesin britanik, ka thënë se mbështet vendimet e marra në samitin e EBU-së, por nuk ka sqaruar nëse kjo do të ndikojë në pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar. /Telegrafi/