Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se problemi në procesin e zgjedhjes së presidentit është mungesa e votave të opozitës, duke theksuar se sipas tij ajo nuk ka mbështetje as për fazën e aplikimit.
Kurti tha se opozita ka refuzuar, siç e quajti ai, një ofertë “gjeneroze” për përfshirje në procesin institucional.
“Çka të bëj me rezultatin zgjedhor që më kanë dhënë 51.1%? Ata nuk i kanë votat as për t’i mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as të aplikojnë”, deklaroi Kurti.
Ai përdori një krahasim për të ilustruar situatën, duke e lidhur me procedurat e aplikimit për punë.
“A keni aplikuar për punë ndonjëherë? Paramendoje të mos i kesh dokumentet e po thua a hy në punë… por ti s’i ke as dokumentet të aplikosh”, u shpreh ai.
Kurti shtoi se nuk mund t’i jepet një post politik dikujt që sipas tij nuk e ka marrë mbështetjen e qytetarëve.
“Me ja dhënë atij po thua, por s’ia ka dhënë populli o vëlla, qysh me ia dhënë unë kur s’ia ka dhënë populli”, tha ai.
Duke i quajtur gjeneroze ofertat të cilat ua ka ofruar opozitës, ai ka thënë se duhet pyetur ata se si mund t’i refuzojnë ato me numrat që i kanë.
“Pra me 28 dhjetor i kemi mbajtur zgjedhjet, po atë natë e kemi parë rezultatin, kurrë s’ka qenë më i qartë. Këta 120 deputetë duhet që t’i funksionalizojnë institucionet në plotni, kemi Kuvend, kemi qeveri, duhet të kemi edhe president”, ka thënë ai.
Sipas tij, rezultati zgjedhor duhet të reflektohet në funksionimin institucional dhe në ndarjen e përgjegjësive politike në vend. /Telegrafi/