Nga: David Hambling, autor i librit Ushtarët e tufës: Si do ta pushtojnë botën dronët e vegjël [Swarm Troopers: How Small Drones Will Conquer the World] / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com
Vladimir Putini ka krijuar një përbindësh – dhe ai [përbindësh] mund ta shkatërrojë atë.
Siç e ka bërë të qartë presidenti Volodymyr Zelensky, lufta e zgjedhur e Putinit kundër Ukrainës ka sjellë epokën e robotëve të luftës.
“Për herë të parë në historinë e kësaj lufte, marrja e një pozicioni armik u realizua tërësisht përmes platformave autonome dhe dronëve”, u tha Zelensky punonjësve të industrisë së mbrojtjes javën e kaluar.
“Pushtuesit u dorëzuan dhe ky operacion përfundoi pa përfshirjen e këmbësorisë dhe pa humbje nga ana jonë”.
Në katër vjetët e fundit, përparësia e madhe e Rusisë në këtë luftë ka qenë fuqia njerëzore.
Ajo ka qenë në gjendje të mbushë frontin me trupa të shumta të cilat Ukraina ka pasur vështirësi t’i përballojë.
Duke zëvendësuar ushtarët prej mishi e gjaku me rekrutë mekanikë, Kievi po e neutralizon atë përparësi.
Ai po hap gjithashtu derën për një lloj të ri të makthit të luftës në të cilin makinat gjuajnë dhe asgjësojnë njerëzit.
Mjetet luftarake me telekomandë datojnë, në mënyrë ironike, që nga “Teletanket” e zhvilluara nga Bashkimi Sovjetik në vitet ’30 të shekullit XX.
Këto ishin tanke të lehta të vjetruara, të pajisura me flakëhedhës për të sulmuar pozicione të mbrojtura.
Por, ato ishin të vështira për t’u kontrolluar përmes radio-lidhjeve jo të qëndrueshme dhe ideja u braktis shpejt.
Nga vitet ’70 të shekullit XX, mjetet e vogla me telekomandë gjetën përdorim ushtarak në çaktivizimin e bombave, por nuk patën sukses përpjekjet për t’u shtuar armë këtyre robotëve.
Dhe, megjithëse ShBA-ja vendosi robotë të armatosur SWORDS/Talon në Irak në vitin 2007, ata nuk u përdorën kurrë në aksion, me sa duket për shkak të shqetësimeve për besueshmërinë dhe mundësinë e publicitetit negativ.
Rusët përdorën gjithashtu Uran-9-in në Siri, një tank të vogël robotik, por rezultatet ishin të paqëndrueshme; ai pati probleme komunikimi gjë që e lanë mjetin të bllokuar dhe nuk është parë në Ukrainë.
Navigimi në tokë është më sfidues sesa fluturimi – prandaj, dronët ajrorë janë të zakonshëm, ndërsa mjetet tokësore, nga makinat vetëdrejtuese deri te robotët e shpërndarjes së mallrave në trotuar, janë ende një risi.
Ata ngatërrohen ose bllokohen lehtësisht: në janar, një robot shpërndarjeje u kurthua në shinat e trenit në Majami dhe u shkatërrua nga një lokomotivë.
Ukraina është marrë me sfidën e robotëve efektivë tokësorë, ose mjeteve tokësore pa ekuipazh (UGV), në të njëjtën mënyrë si i zhvilloi edhe dronët.
Njëjtë si me dronët, theksi është në ndërtimin e sistemeve me kosto të ulët që shfrytëzojnë teknologjinë komerciale, vendosjen e tyre në terren për të gjeneruar reagime nga kushtet reale dhe përmirësimin e shpejtë përmes përsëritjes.
Ukrainasit thonë se mund të bëjnë brenda javësh atë që në Perëndim zgjat me vite.
Gjetja e një rruge përreth pengesave mbetet ende sfidë për UGV-të e Ukrainës, kështu që operatori i robotit bashkëpunon me një ekip dronësh me pamje nga lart për të identifikuar rrugën më të mirë.
Robotët fillimisht u përdorën për furnizim logjistik, duke transportuar furnizime në kilometrat e fundit të rrezikshëm drejt vijës së frontit.
Që atëherë, ata kanë marrë role më kërkuese, si evakuimi i të plagosurve dhe vendosja e minave – dhe një numër në rritje videosh tregojnë robotë të armatosur duke luftuar në front.
DevDroid është shembull tipik i një roboti luftarak ukrainas.
Me madhësi prej motoçiklete me katër rrota, ai ka një shpejtësi maksimale prej katër milje në orë [6.5 kilometra në orë] dhe është i pajisur me një mitraloz kalibri .50 me 300 fishekë.
Mykola Zinkevych, komandant i Brigadës III Sulmuese, thotë se DevDroid-i mbajti një pozicion në vijën e frontit dhe përballoi i vetëm trupat ruse – pa praninë e ushtarëve – për 45 ditë, duke u kthyer herë pas here në bazë për rikarikim dhe riarmatim.
Dhe, siç raportoi Volodymyr Zelensky, Ukraina po kryen gjithashtu sulme vetëm me robotë, me një përzierje dronësh dhe të UGV-ve, duke përdorur dronët ajrorë për të identifikuar kërcënimet dhe për t’ua treguar objektivat operatorëve të robotëve.
Operacionet e tilla aktualisht përfshijnë vetëm një numër të vogël makinerish, por Ukraina planifikon të prodhojë 20 mijë UGV këtë vit dhe mund ta rrisë shpejt këtë kapacitet.
Në mars, Andriy Biletskyi, komandant i Korpusit III të Ushtrisë së Ukrainës, tha se në vitin 2026 UGV-të do të zëvendësojnë 30 përqind të këmbësorisë në front – dhe se kjo shifër mund të rritet në 80 përqind në të ardhmen e afërt.
Analistët ushtarakë argumentojnë se robotët nuk mund ta zëvendësojnë vërtet këmbësorinë derisa të jenë në gjendje të hyjnë brenda ndërtesave, të zënë llogoret dhe të kryejnë detyra të ngjashme që kërkojnë fleksibilitet fizik.
Kjo mund të ndodhë më shpejt nga sa mendoni: ushtria ukrainase ka eksperimentuar tashmë me robotë katërkëmbësh të ngjashëm me qen dhe së fundmi ka marrë për testim dy robotë humanoidë Phantom Mk1, të prodhuar në ShBA.
Kievi ka qenë një pjesëmarrës ngurrues në luftërat robotike.
Ushtria e tij i është drejtuar teknologjisë nga nevoja e madhe, për të zvogëluar nevojën për ushtarë në vijën e frontit dhe për të ulur humbjet.
Por, Ukraina synon të fitojë – dhe nëse mbijetesa do të thotë të dërgojë makina të ngjashme me Terminatorin, vendi nuk do të hezitojë.
Pushtimi i Vladimir Putinit mund të përplaset më në fund me një mur ushtarësh të pamposhtur robotikë, të operuar prej ekipeve që janë me kilometra larg vijës së frontit.
Dhe, kjo do ta ndryshojë luftën kudo, përgjithmonë.
Fusha e betejës e së ardhmes do të jetë plotësisht e mekanizuar dhe luftëtarët që përballen drejtpërdrejt me njëri-tjetrin do të duken po aq demode sa luftimet me shpata. /Telegrafi/