Në Gjykatën e Sidneit ka nisur procesi gjyqësor për padinë e ngritur ndaj aktores së njohur Rebel Wilson, ku në seancën e parë janë dëgjuar akuza dhe kundërakuza mes palëve lidhur me pretendime për ngacmim dhe deklarata publike.
Sipas palës paditëse, pretendimet e Wilson se aktorja e re australiane Charlotte MacInnes ishte ndjerë “e pakëndshme” pas një incidenti me një producent dhe më pas kishte tërhequr një ankesë për përfitime karriere, janë cilësuar si “shpikje dashakeqe”.
Në vitet 2024 dhe 2025, Wilson kishte shkruar në Instagram se MacInnes ishte ndjerë “e pakëndshme” pasi kishte ndarë një banjë me një nga producentët e filmit “The Deb”, ku ajo luan, shkruan BBC.
Ajo gjithashtu ka pretenduar se MacInnes kishte tërhequr një ankesë në këmbim të roleve dhe një marrëveshjeje muzikore, gjë që aktorja e mohon plotësisht.
MacInnes nga ana e saj thotë se deklaratat e Wilson i kanë dëmtuar reputacionin dhe ka kërkuar dëmshpërblim, ndërsa avokatët e saj theksojnë se nuk ka pasur asnjë ankesë të tillë dhe se Wilson e ka përdorur çështjen në një konflikt me producentët.
Në gjykatë u prezantuan mesazhe dhe email-e mes palëve që lidhen me incidentin e vitit 2023 në Bondi Beach, ku përfshihen MacInnes dhe producentja Amanda Ghost.
Sipas dëshmive, incidenti përfshinte një situatë pas notit në det dhe më pas përdorimin e një vaske për t’u ngrohur, pa kontakt fizik mes palëve.
Pala e Wilson këmbëngul se pretendimet për ngacmim janë të pavërteta dhe të fabrikuara, ndërsa mbrojtja e saj thotë se MacInnes nuk ka pësuar dëmtim në karrierë dhe vazhdon aktivitetin artistik.
Gjyqi në Sidnei pritet të zgjasë nëntë ditë. /Telegrafi/