Sipas raportimeve nga “Le Parisien”, një 22-vjeçar është arrestuar pasi mashtroi mijëra tifozë të Paris Saint-Germain duke u shitur bileta false për ndeshje.
I dyshuari, i identifikuar si Ainis D., u ndalua nga Njësia e Krimit Kibernetik pasi kishte organizuar një skemë mashtrimi përmes TikTok, ku përdorte llogari si “vendor.parisien” për të shitur bileta të falsifikuara.
Hetuesit bëjnë të ditur se aktiviteti i tij kishte nisur që nga gushti i vitit 2024 dhe ka prekur rreth 2 mijë viktima, duke gjeneruar të paktën 40 mijë euro fitime të paligjshme. Biletat e shitura nuk u jepnin tifozëve mundësinë për të hyrë në stadium.
Rasti doli në dritë pasi Paris Saint-Germain paraqiti një ankesë në janar, çka çoi në nisjen e hetimeve dhe më pas në arrestimin e tij në rajonin e Oise.
Sipas burimeve, i dyshuari ka pranuar veprën, ndërsa autoritetet besojnë se ai mund të jetë ndihmuar edhe nga vëllai i tij, i cili aktualisht është në arrati.
Tani ai përballet me disa akuza serioze, përfshirë mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, ndërsa procedurat ligjore kanë nisur./Telegrafi/