Panairi Ndërkombëtar i Turizmit Kosova 2026 ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme aktivitetin e tij në ambientet e Prishtina Mall, duke mbledhur përfaqësues institucionalë, organizata turistike dhe biznese nga mbarë rajoni.
Ky panair, i organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës, po konsiderohet si një platformë e rëndësishme për promovimin e potencialeve turistike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar në këtë sektor.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, theksoi rëndësinë e këtij organizimi si një hap fillestar drejt krijimit të një organizate gjithëkombëtare të turizmit.
Ai nënvizoi se ideja për një bashkëpunim të tillë ka qenë e kahershme dhe synon promovimin e vlerave të përbashkëta historike dhe kulturore shqiptare. Sipas tij, kjo nismë pritet të zgjerohet duke përfshirë më shumë organizata, komuna dhe aktorë të tjerë, duke krijuar një strukturë bashkëpunuese mes sektorit privat dhe pushtetit lokal.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi organizimin e panairit dhe theksoi përkushtimin e kryeqytetit ndaj zhvillimit të turizmit.
Ai bëri të ditur se Prishtina ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të turistëve vit pas viti, duke arritur deri në 40% rritje në vitin e kaluar.
Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në kulturë, art dhe evente, si dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, të cilat pritet të rrisin edhe më shumë vizibilitetin e qytetit.
Ai potencoi nevojën për digjitalizim të ofertave turistike dhe për bashkëpunim rajonal, duke përmendur afërsinë gjeografike si një avantazh të madh për zhvillimin e përbashkët.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi rolin kyç të turizmit në zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e të ardhurave.
Ai u shpreh se Ulqini, së bashku me Strugën dhe Prishtinën, synon të pozicionohet fuqishëm në tregun rajonal turistik përmes një oferte të përbashkët dhe konkurruese.
Nimanbegu vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Unionet e Turizmit të Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se kjo do të lehtësojë punën e institucioneve dhe organizatave turistike në të ardhmen.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, e cilësoi këtë nismë si të domosdoshme për zhvillimin e turizmit dhe afrimin kulturor ndërmjet vendeve.
Ai prezantoi Strugën si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Maqedoninë e Veriut, duke përmendur pasuritë natyrore si Liqenin e Ohrit, lumin Drin i Zi dhe infrastrukturën në zhvillim, përfshirë lidhjet me Korridorin 8.
Panairi po vazhdon të mbetet i hapur për vizitorë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët dhe bizneset që të bëhen pjesë e këtij eventi, i cili synon të forcojë lidhjet ekonomike dhe të promovojë turizmin si një sektor strategjik për zhvillimin e vendit dhe rajonit./Telegrafi/