Carlos Tevez ka zbuluar se kalimi nga Manchester United te rivali i përbetuar, Manchester City, ishte një lloj hakmarrjeje. Ish-sulmuesi argjentinas, i cili luajti te United nga viti 2007 deri më 2009, pranoi se ishte ndier i tradhtuar nga Sir Alex Ferguson, pasi klubi nuk e kishte blerë përfundimisht, pavarësisht premtimeve të trajnerit skocez.
Tevez tregoi se kishte dhënë gjithçka për fanellën e Unitedit, por më pas ishte lënë në stol, ndërsa klubi transferoi Dimitar Berbatovin. Sipas tij, Ferguson kishte pasur gjashtë muaj kohë për ta mbajtur premtimin, por nuk e bëri këtë. Kjo e lëndoi argjentinasin, i cili vendosi të bashkohej me Manchester Cityn, duke e përjetuar atë kalim si një mënyrë për t’ia kthyer ish-klubit.

