Aurelien Tchouameni ka folur hapur për vështirësitë që ka përjetuar te Real Madridi gjatë dy sezoneve të fundit, duke zbuluar presionin e madh që ka ndjerë në ‘Santiago Bernabeu’.
Mesfushori francez është shndërruar në një nga lojtarët më konstantë të skuadrës këtë sezon, një ndryshim i madh krahasuar me situatën e tij rreth 18 muaj më parë.
Pas largimit të Toni Kroos, madrilenët janë përpjekur të rindërtojnë mesfushën, ndërsa Tchouameni pritej të ishte një nga figurat kryesore që do të merrte përgjegjësi më të madhe. Megjithatë, për shkak të dëmtimeve dhe mungesës së stabilitetit në skuadër, ai u detyrua shpesh të luante në mbrojtje, një rol ku pati vështirësi.
Në një moment, kritikat ndaj tij arritën kulmin, duke bërë që tifozët në Bernabéu ta vërshëllenin, ndërsa në media u përfol edhe mundësia e largimit të tij gjatë verës.
Duke folur në Pivot Podcast, sipas Diario AS, Tchouameni pranoi se ishte kthyer në “kurban” për problemet e skuadrës.
“Isha bërë fajtor për gjithçka. Në 10-20 minutat e para, stadiumi më vërshëllente sa herë prekja topin”.
“Ajo situatë ose të shkatërron, ose të bën të mendosh: ‘kështu është futbolli’. E vetmja gjë që mund të kontrolloj është performanca ime”.
“Niveli i presionit te Real Madrid është diçka krejt tjetër. Njerëzit flasin për gjithçka që bën, qoftë mirë apo keq”.
“Të gjithë flisnin për mua dhe mënyrën si luaja. Një ose dy vite më parë isha ‘lojtar i dobët’, më vërshëllenin në stadium, kështu që ndjeva se kalova shumë, dhe kjo më ndihmoi shumë nga ana mendore”.
“Tani e di që, pavarësisht çfarë bëj, njerëzit do të flasin. Thjesht i injoroj. Të luash për Real Madrid është skena më e madhe në sport: presioni është një privilegj”, ka deklaruar francezi./Telegrafi/