Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, mund të jetë duke i kaluar muajt e fundit në krye të klubit anglez, një lajm që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në ambientin e Ligës Premier.
Trajneri katalanas, pas shumë vitesh dominimi në futbollin anglez, po shqyrton seriozisht mundësinë për ta mbyllur ciklin e tij në Manchester City në fund të sezonit, pavarësisht se kontrata e tij aktuale zgjat deri në vitin 2027.
Megjithatë, në Angli tashmë ekziston një ndjesi se vazhdimi i tij në afat të shkurtër nuk është i garantuar, duke shtuar spekulimet rreth të ardhmes së tij.
Sipas raportimeve të Calcio e Finanza, Italia është shfaqur si një opsion real për Guardiolën, jo në nivel klubesh, por si trajner i kombëtares.
Interesi i Italisë dhe federatës italiane lidhet me nevojën për një projekt të fortë pas rezultateve të fundit zhgënjyese. Megjithatë, profili i lartë i Guardiolës dhe paga e tij shumë e madhe në Angli e bëjnë çdo marrëveshje të vështirë për t’u realizuar.
Në Ligën Premier, Guardiola aktualisht përfiton shumë më tepër sesa mund të ofrojë Italia, gjë që përbën një pengesë serioze në negociata.
Trajneri spanjoll ka shprehur disa herë dëshirën për të drejtuar një kombëtare, ndërsa ideja për të marrë pjesë në një Kupë Bote apo Kampionat Evropian e tërheq shumë.
Italia, në këtë kontekst, mund t’i ofrojë atij një sfidë të re në nivel ndërkombëtar, pas një periudhe jashtëzakonisht të suksesshme në futbollin e klubeve./Telegrafi/