Eduardo Camavinga u ka kërkuar falje tifozëve të Real Madridit pasi u përjashtua me të kuq në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich.
Mesfushori francez mori kartonin e dytë të verdhë, i cili, ndonëse ndoshta shumë i ashpër, ishte gjithashtu rezultat i naivitetit të tij.
Ai përdori rrjetet e tij sociale pas eliminimit, ku krahas një fotoje të momentit kur ai me trishtim u largua nga fusha e Allianz Arenës në minutat e fundit të ndeshjes, shkroi fjalë kërkim falje.
“Dua të kërkoj falje. Marr pjesën time të përgjegjësisë. Dua t’u kërkoj falje shokëve të ekipit dhe tifozëve. Faleminderit për gjithë mbështetjen tuaj. Hala Madrid, përgjithmonë”, shkroi Camavinga.
Çfarë ndodhi?
Camavinga nuk e nisi ndeshjen në Mynih, por hyri në fushë në minutën e 62-të me ekipin e tij që kryesonte 3-2, apo me rezultatin e përgjithshëm 4-4 pas fitores së ekipit gjerman në Santiago Bernabeu.
Megjithatë, francezi mori dy kartonë të verdhë në vetëm tetë minuta. Bayern shfrytëzoi avantazhin e lojtarit duke shënuar dy gola për të fituar 4-3 apo 6-4 në total.
E para ishte për shkak të tërheqjes së Jamal Musialas, dhe e dyta sepse pas një faulli ndaj Harry Kane, ai mori topin dhe e çoi disa metra larg përpara se ta lëshonte përtej gjyqtarit slloven Slavko Vincic.
Ky ndëshkim ka tërbuar të gjithë në Spanjë, nga lojtarët e Real Madridit, te drejtuesit dhe mediat, duke e cilësuar si të papranueshëm ndëshkimin. /Telegrafi/