Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Malishevë, ku humbën jetën një baba dhe dy fëmijët e tij si pasojë e një zjarri.
Përmes një reagimi publik, Haxhiu shprehu dhimbjen e thellë për këtë humbje të rëndë dhe u solidarizua me familjen e viktimave.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të një babai dhe dy fëmijëve nga zjarri që ndodhi sot në Malishevë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe të afërmit e viktimave, duke theksuar se kjo ngjarje ka prekur gjithë shoqërinë.
“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave. Ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, thuhet në reagimin e saj.
Ngjarja e rëndë në Malishevë ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me shkaqet e zjarrit. /Telegrafi/