Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka bërë thirrje për një sërë ndryshimesh të mëdha strukturore dhe rregulloresh për të modernizuar sportin, duke sugjeruar që futbolli duhet të largohet nga formati i tij tradicional.
Gjatë një diskutimi të kohëve të fundit, drejtuesi italian përshkroi një vizion që sfidon vetë themelet e lojës, duke filluar nga kohëzgjatja e ndeshjes deri te sistemi disiplinor dhe përbërja e garave evropiane.
“Para së gjithash, do ta zvogëloja kohëzgjatjen e secilës pjesë nga 45 në 25 minuta. Por nuk mund të qëndrosh në fushë duke imagjinuar se je aktor. Jo, duhet të largohesh!”, ka thënë fillimisht De Laurentiis për The Athletic.
“Unë gjithashtu nuk do të përdorja kartonë të kuq dhe të verdhë. Do të përjashtoja një lojtar për 5 minuta [për një karton të verdhë] dhe për 20 minuta për një karton të kuq”.
“Në Francë, ndoshta ka tre ekipe të forta. Në Gjermani – katër. Në Itali pesë – Juventus, Inter, Milan, Napoli, Roma. Anglia – pesë ekipe kyçe, Spanja – katër. Nëse i bashkon, do të krijosh një garë vërtet të madhe. Mund të marrësh ekipet më të mira të mbetura nga Serie A dhe ekipet më të mira nga Serie B për të bërë një Serie A të re”.
“MLS mbledh lojtarë duke u ofruar atyre para të mëdha në fund të karrierës së tyre, dhe kjo nuk jep asgjë. Pse nuk i sugjerojnë Ceferinit të ftojë tre deri në pesë ekipe të mëdha amerikane për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve? Më të mirat nga New Yorku, më të mirat nga Bostoni”.
Gjatë bisedës së tij me The Athletic, De Laurentiis shpesh iu referua basketbollit dhe mendon se futbolli ka disa mësime për të nxjerrë nga sportet amerikane në përgjithësi.
“Një gjë tjetër, shumë pak gola! Pra, nuk është spektakolare. Duhet të shënosh më shumë gola. Dhe për të shënuar më shumë gola, duhet të ndryshosh rregullat. Nuk mund ta (anulosh) një gol vetëm për disa milimetra. Pozicioni jashtë loje duhet të ndryshohet, shumë”, përfundoi presidenti i Napolit. /Telegrafi/