UEFA ka ndërhyrë për të qetësuar Barcelonën pas shqetësimeve të ngritura lidhur me gjendjen e fushës në stadiumin ‘Riyadh Air Metropolitano’, në prag të përballjes me Atletico Madrid.
Barcelona hyn në ndeshjen e kthimit të çerekfinales të Ligës së Kampionëve me nevojën për një përmbysje, pas humbjes 2-0 në takimin e parë.
Megjithatë, vëmendja para ndeshjes u zhvendos përkohësisht te gjendja e tapetit të fushës në Madrid.
Trajneri Hansi Flick u pa duke shprehur shqetësime për cilësinë e barit gjatë seancës stërvitore të së hënës, çka bëri që klubi të kërkonte një inspektim zyrtar.
Gjatë takimit para ndeshjes mes përfaqësuesve të të dy klubeve dhe UEFA-s, organi qeverisës dha garanci të qarta, zyrtarët konfirmuan se bari do të mbahet në një gjatësi prej 26 milimetrash, brenda kufirit maksimal të lejuar prej 30 mm sipas rregulloreve.
UEFA ka ndërmarrë gjithashtu masa shtesë për të siguruar kushte optimale loje.
Është rënë dakord që fusha të ujitet plotësisht para fillimit të ndeshjes dhe sërish gjatë pushimit mes dy pjesëve, një faktor kyç për të ruajtur shpejtësinë dhe rrjedhshmërinë e lojës. /Telegrafi/