Mesfushori Thomas Muller ka paralajmëruar Bayern Munich përpara ndeshjes së kthimit ndaj Real Madridit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, pavarësisht avantazhit 2-1 nga takimi i parë.
Ish-ylli i bavarezëve theksoi se edhe pse Reali nuk është në nivelin më të lartë të viteve të kaluara, mbetet një kundërshtar shumë i rrezikshëm.
“Të jem i sinqertë, Real Madridi nuk është aq i fortë sa në të kaluarën, por sigurisht që kanë lojtarë të jashtëzakonshëm. Ata gjithmonë mund të të dëmtojnë, gjithmonë janë të rrezikshëm”.
Ai shtoi se Bayerni është në një moment shumë të mirë dhe gati për hapin e madh drejt gjysmëfinales, por paralajmëroi se asgjë nuk është e sigurt.
“I gjithë sezoni ka shkuar mirë dhe ndjehet që skuadra është gati për hapin tjetër. Shanset për të kaluar janë të mira, por duhet bërë edhe ai hapi i fundit”.
Muller gjithashtu vlerësoi punën e trajnerit Vincent Kompany, duke theksuar ndikimin e tij në skuadër.
“E kam parë nga afër se si Kompany e udhëheq ekipin dhe si lojtarët e ndjekin. Nuk është vetëm çështje taktike, por edhe mënyra se si skuadra lufton nga minuta e parë deri në të fundit”.
Përballja mes Bayernit dhe Realit do të zhvillohet të mërkurën në “Allianz Arena” nga ora 21:00./Telegrafi/