Enti Shtetëror i Revizionit paralajmëron për paqëndrueshmëri të sistemit pensional, për shkak se po rritet numri i pensionistëve, ndërsa po bie fluksi i kontributeve në fondin pensional. Kjo theksohet në raportin e fundit të revizorëve, i cili bazohet në ndryshimet demografike në vend, përkatësisht në plakjen gjithnjë e më të madhe të popullsisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Edhe pse sistemi pensional i ndërtuar në tre shtylla siguron pagesë të rregullt të pensioneve, qëndrueshmëria e tij reale është e dëmtuar për shkak të trendeve të pafavorshme demografike, normës së ulët të kontributeve, si dhe rritjeve të pensioneve që nuk bazohen në rritjen e pagave dhe kontributeve. Edhe pse pensionet paguhen me kohë, kjo arrihet përmes rritjes së transfereve nga buxheti dhe shtyrjes së reformave të nevojshme strukturore”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Raporti thekson gjithashtu se shtylla e parë e sistemit pensional, e organizuar mbi bazë solidariteti, vazhdimisht operon me bilanc financiar negativ. Shpenzimet për pensione tejkalojnë të ardhurat nga kontributet, ndërsa vrima në fondin pensional mbulohet me transferim të mjeteve nga Buxheti, që arrijnë edhe mbi 690 milionë euro. Barrë shtesë janë edhe rritjet lineare që nuk janë në përputhje me rritjen e pagave.
“Gjatë viteve 2024 dhe 2025, niveli i pensioneve është rritur disa herë në mënyrë lineare, gjë që nuk është shoqëruar me rritje të pagave të të siguruarve dhe as me rritje të numrit të kontribuuesve. Në mungesë të reformave me kohë dhe efektive, transfertat nga buxheti për shtyllën e parë pensonale mund të arrijnë në 7.4% të BPV-së në vitin 2057, gjë që do të sjellë ngarkesë serioze për buxhetin qendror”, Enti Shtetëror i Revizionit.
Sipas projeksioneve demografike, në 30 vitet e ardhshme pritet që pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç të rritet në mbi 34%, ndërsa popullsia në moshë pune do të zvogëlohet për pothuajse gjysmë milioni persona, gjë që do të rrisë edhe më shumë presionet mbi financat publike. Si arsye kryesore përmendet nataliteti i ulët, e veçanërisht emigrimi i të rinjve.
Nga ESHR thonë se trendet demografike janë shqetësuese. Mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 32.3 vjeç në vitin 2000 në 41.8 vjeç në vitin 2024. Pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç është në rritje, ndërsa pjesa e brezave të rinj është në rënie. Arsyeja kryesore për rënien demografike nuk është vetëm shkalla e ulët e lindjeve, por edhe emigrimi i popullsisë.
“Sipas parashikimeve të Entit Shtetëror për Revizion, pjesa e personave mbi 65 vjeç do të rritet nga 19.1% në vitin 2025 në 32.6% në vitin 2050 dhe 34.2% në vitin 2055. Numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet nga rreth 22,000 në vitin 2024 në mbi 144,000 në vitin 2055, ndërsa popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) do të ulet me afërsisht 470,000 persona. Në mungesë të reformave në kohë dhe efektive, transfertat nga buxheti për shtyllën e parë të pensioneve mund të arrijnë në 7.4% të BPV-së në vitin 2057, gjë që do të çojë në një barrë serioze për Buxhetin Qendror”, thonë nga ESHR./Telegrafi/