Qazim Laçi po vazhdon formën e tij të jashtëzakonshme në Superligën e Turqisë, duke qenë sërish vendimtar për skuadrën e tij.
Mesfushori shqiptar ishte protagonist në fitoren bindëse 4-1 të Rizespor ndaj Samsunspor, në një ndeshje të zhvilluar të enjten mbrëma në shtëpi.
Laçi pati një paraqitje të jashtëzakonshme gjatë 72 minutave në fushë, duke kontribuar me një gol dhe dy asistime.
Ai asistoi në golin për 2-0, më pas realizoi vetë për 3-0 në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, ndërsa pas pushimit, vetëm pesë minuta më vonë, regjistroi edhe asistimin e dytë për golin e katërt të ekipit të tij.
30-vjeçari po kalon një sezon shumë të mirë, duke arritur në pesë gola dhe tetë asistime në edicionin aktual të kampionatit turk.
Me këtë fitore, Rizespor vazhdon të mbajë një pozicion të qëndrueshëm në tabelë, duke grumbulluar 33 pikë dhe duke u renditur në vendin e dhjetë.
Kjo përballje ishte një ndeshje e mbetur e xhiros së 27-të, ndërsa forma e Laçit mbetet një nga pikat më të forta të skuadrës në këtë fazë të sezonit./Telegrafi/