Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka shpërndarë deputetëve letrën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në të cilën konfirmohet pranimi i Rezolutës nr. 10-R-001, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 12 shkurt 2026.
Në letrën e saj, Trendafilova thekson se Dhomat e Specializuara funksionojnë në përputhje me kornizën ligjore të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe se kjo kornizë përfshin standarde ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, si dhe garanci të forta për pavarësinë gjyqësore.
Ajo shton se të gjithë personat që paraqiten para Dhomave të Specializuara, qofshin të dyshuar, të akuzuar apo viktima, mund të përfitojnë nga mjetet juridike të parashikuara në këtë kornizë ligjore, përfshirë mundësinë e adresimit të çështjeve në Dhomën Speciale të Gjykatës Kushtetuese si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës.
Sipas Trendafilovës, Dhomat e Specializuara dhe panelet e tyre penale kanë zbatuar vazhdimisht Kushtetutën e Kosovës dhe kanë ndjekur jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke siguruar pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Në fund të letrës, kryetarja e Dhomave të Specializuara i ka uruar Haxhiut sukses në detyrën e saj të re si kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar funksionin e saj si të rëndësishëm brenda kornizës kushtetuese të vendit.