Ushtaraku gjerman, Thomas Schulte-Borghoff, që mban gradën gjeneral brigade, ka marrë zyrtarisht detyrën si Drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), duke e pasuar në këtë pozitë homologun e tij Doctor Sven Lange.
Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës u mbajt sot në Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë, bëhet e ditur në një njoftim që ka dërguar KFOR-i.
Gjenerali Lange, i cili drejtoi NALT-in që nga marsi i vitit 2025, theksoi rëndësinë e besimit dhe bashkëpunimit në procesin e këshillimit, për cfarë tha se ka sukses “vetëm kur ekziston gatishmëri për ta pranuar atë, duke vlerësuar praninë dhe bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë”.
Drejtori i ri, Schulte-Borghoff, vlerësoi punën e paraardhësit të tij dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbi bazat e vendosura.
“Pres me padurim të vazhdoj rrugën që je e keni bërë gati. Keni vendosur një themel të fortë dhe është privilegj të punoj me një ekip kaq profesional,” tha ai.
Gjenerali Schulte-Borghoff ka një karrierë të pasur në forcat e armatosura gjermane, duke shërbyer në pozita të larta në strukturat komanduese gjermane, në Ministrinë Federale të Mbrojtjes dhe në Komandën e Operacioneve Aleate (SHAPE). Ai është gjithashtu i diplomuar në Kolegjin e Mbrojtjes të NATO-s.
Misioni i NALT në Kosovë, që nga gushti i vitit 2016, është të këshillojë institucionet e sigurisë, veçanërisht Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të ndihmojë në zhvillimin profesional dhe institucional të këtyre strukturave.
Po ashtu, ky ekip , lehtëson bashkëpunimin dhe koordinimin me NATO-n e partnerët ndërkombëtarë dhe mbështet transformimin dhe avancimin e FSK-së, në përputhje me mandatin dhe standardet ndërkombëtare.