Një tjetër email që paralajmëron për vendosjen e bombave në shkolla dhe institucione në Itali ka mbërritur këtë herë nga një adresë elektronike që rezulton e lidhur me Departamentin e Arsimit të Filipineve. Mesazhi ka përfshirë mbi 6 mijë institucione arsimore në Itali, si dhe Pallatin Chigi, selinë e qeverisë italiane.
Edhe këtë herë, email-i mban firmën “Mikhail Andropov”, emri i përdorur nga një person ende i paidentifikuar, i cili prej disa javësh po dërgon kërcënime të ngjashme. I njëjti person kishte dërguar një tjetër mesazh më 6 nëntor, ndërsa të mërkurën e ka përsëritur veprimin, duke përdorur të njëjtën mënyrë komunikimi.
Sipas raportimeve të gazetës italiane “Corriere della Sera”, për dërgimin e mesazhit është përdorur një llogari e komprometuar e një universiteti në Tajvan, e cila dyshohet se është blerë në janar në dark web. Llogaria ishte regjistruar në emër të një gruaje të përfshirë në mashtrime online.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi të enjten se, pavarësisht hetimeve të vazhdueshme, autoritetet ende nuk kanë arritur të zbulojnë identitetin e personit që fshihet pas emrit “Mikhail Andropov”.
Hetuesit dyshojnë se edhe llogaria e përdorur këtë herë, e lidhur me Filipinet, mund të jetë marrë përmes rrjeteve të dark web-it dhe të jetë jashtë përdorimit prej muajsh. Të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe për llogari të lidhura me ministritë e Arsimit të Arabisë Saudite dhe Egjiptit, të cilat dyshohet se janë përdorur për kërcënime të ngjashme në Itali dhe vende të tjera europiane gjatë muajve tetor dhe nëntor.
Në email-in e fundit është përdorur emri i një mësueseje, Jorhida Budiang, ndërsa mesazhi i drejtohet drejtpërdrejt Italisë me fjalët: Jeni në rrezik!.
Përveç kërcënimeve, mesazhi përmban edhe elemente të përsëritura në emailet e mëparshme, si përmendja e qeseve ku pretendohet se do të vendosen bombat, përdorimi i amonit në përbërjen e tyre dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministres Giorgia Meloni. Dërguesi përmend gjithashtu se autoritetet mund ta konsiderojnë mesazhin si një shaka, ndërsa në fund e mbyll atë me firmën “Mikhail Andropov”, të shoqëruar me shprehjen “me përçmim”.
Dyshimet janë se personi përgjegjës përdor sisteme që fshehin adresën e tij të vërtetë elektronike dhe pengojnë gjurmimin e vendndodhjes. Për këtë arsye, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ai të ndodhet shumë më pranë Italisë nga sa sugjerojnë adresat e përdorura.
Pavarësisht se emailet janë dërguar përmes llogarive të lidhura me vende të largëta si Kolumbia, Tajvani dhe tani Filipinet, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se autori ndodhet në këto shtete. Hetimet vijojnë për të zbuluar se kush qëndron pas këtyre kërcënimeve të përsëritura.

