Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar organizimin e një proteste më 1 maj, në shenjë pakënaqësie për mosrealizimin e kërkesave të punëtorëve ndër vite.
Në një konferencë për media, ai bëri të ditur se kërkesat e sektorit privat nuk janë adresuar si nga qeveria aktuale, ashtu edhe nga ekzekutivet e kaluara, ndërsa theksoi se vendimet e fundit të sindikatës janë marrë në mënyrë unanime.
“Është marrë vendim që më 1 maj të mbahet protesta, ndërsa nëse deri në muajin korrik nuk realizohet rritja e pagave në 600 euro për punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik që financohen nga Komuna e Prishtinës, ata do të largohen kolektivisht nga vendet e punës”, tha Azemi.
Sipas tij, këta punëtorë tashmë kanë alternativa të tjera punësimi me paga më të larta, ndërsa kontratat që pritet të nënshkruhen së shpejti duhet të reflektojnë realitetin ekonomik dhe nivelin e inflacionit.
Azemi theksoi se një ndër kërkesat kryesore mbetet edhe pagesa e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat, duke e cilësuar mungesën e saj si trajtim të pabarabartë.
“Paga e 13-të është një e drejtë që duhet të garantohet për të gjithë punëtorët, pasi buxheti i shtetit mbushet edhe nga kontributi i sektorit privat”, u shpreh ai.
Ai shtoi se sindikata ka diskutuar edhe për paketën e re të masave ekonomike të paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës, duke kërkuar përfshirje më të madhe të sektorit privat në ndarjen e mjeteve.
Sipas Azemit, sindikata mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet, por paralajmëroi se do të reagojë sa herë që evidentohen mangësi në trajtimin e punëtorëve të këtij sektori. /Telegrafi/