Futbollisti legjendar gjerman Lothar Matthäus ka kritikuar ashpër sjelljen e “klubit mbretëror” përpara përplasjes së madhe midis Bayern Munich dhe Real Madrid në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, duke analizuar jo vetëm ndeshjen, por edhe veprimet e drejtuesve që, sipas tij, po dëmtojnë reputacionin e klubit.
Fjalët e tij, të cilat kanë peshë të veçantë në botën e futbollit, sigurisht që nuk do të kenë jehonë të mirë në Madrid.
Në programin Sky 90, Matthaus foli për sjelljen e yllit brazilian të Realit, Vinicius Junior, i cili ishte prezent edhe në media.
“Vinicius është një lojtar i shkëlqyer, por provokon pafundësisht. Kur më në fund e rrëzon në fushë, ai thjesht ankohet dhe pastaj qan. Kjo është tipike për të”, deklaroi ai.
Ai kritikoi gjithashtu bojkotin e Real Madridit për Topin e Artë 2024, duke e cilësuar si një vendim të papranueshëm.
“Rodri u shpall lojtari më i mirë në botë, dhe pastaj ata thanë: ‘Po, është e padrejtë, njëri prej nesh duhet të kishte fituar’. Kështu që ata bojkotuan. Kjo nuk bëhet. Nga respekti për kundërshtarët, ekipet dhe lojtarët e tjerë, kjo thjesht nuk është e pranueshme. Të gjitha mediat e panë negativisht, dhe kështu një klub me histori të shkëlqyer po humbet disi prestigjin e tij”, deklaroi gjermani q% vetë e kishte fituar.
Avantazhi për Bayern Munich
Matthaus tha se mënyra e sjelljes së Real Madridit vitet e fundit nuk është pozitive dhe beson se Bayern Munich ka avantazh para ndeshjes së parë në Santiago Bernabeu.
“Shoh disa dobësi te Real Madrid, të cilat nuk i kam parë te Reali i madh i së kaluarës. Kjo mund të lidhet edhe me ndryshimet e trajnerëve dhe lë gjurmë. Mbappe është i lënduar për një kohë të gjatë, ka shumë diskutime për Vinicius dhe ka probleme të tjera te Reali që i shoh si një avantazh të madh për Bayern”, deklaroi ai.
Mathaus konsiderohet si një nga lojtarët gjermanë më të mirë në histori. /Telegrafi/