Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, është zhvilluar në një atmosferë konstruktive, me fokus kryesor zgjedhjen e presidentit të ri.
Kurti bëri të ditur se diskutimet kanë zgjatur rreth dy orë dhe janë përqendruar në situatën e re politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Patëm takim afro dy orë. Diskutuam për situatën e re politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila na mundësoi të mblidhemi në Kuvend dhe të vazhdojmë me seanca plenare”, tha Kurti.
Ai theksoi se koha për zgjedhjen e presidentit është e kufizuar dhe kërkon angazhim maksimal.
“Na kanë mbetur edhe tri javë deri tek zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimizojmë përpjekjet”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, qëllimi i përbashkët është shmangia e zgjedhjeve të reja dhe se është e vështirë të pritet një rezultat ndryshe nga zgjedhjet eventuale.
“Jemi të përcaktuar për t’i shmangur zgjedhjet e reja, sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera është vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat e programet tona me po të njëjtat zotime, ku kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe Ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë, por është sfidë tejet gjigante që një parti ti ketë 80 deputetë dhe të mund ta zgjedh vetë presidentin”, tha Kurti.
Kurti u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje në ditët në vijim.
“Vazhdoj të jem optimist se me takime e bisedime të tilla mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them se e kemi sot”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se për një zgjedhje stabile të presidentit nevojitet një shumicë më e gjerë.
“Vetëm një shumicë prej 84-85 deputetësh do të na bënte komod për zgjedhjen e presidentit. Numri 80-81 nuk është caku ynë për të ecur përpara”, tha Kurti derisa paralajmëroi takim edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. /Telegrafi/