Nga ushqimet e thata te pijet speciale, menyja në hapësirë është më e pasur se sa mendoni
Pite me perime, vezë të fërguara, kus-kus me arra, pjeshkë dhe tërshërë. Dhe sigurisht, kafe. Kështu dukej dje mëngjesi i katër anëtarëve të ekuipazhit në anijen kozmike Orion, pasi u realizua me sukses manovra kyçe dhe misioni Artemis II u largua nga orbita e Tokës në drejtim të Hënës. “Madje sot shijojnë edhe muffin”, tha komentatorja e NASA-s Leah Cheshier Mustachio gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Meny e pasur për një mision 10-ditor
Edhe pse ushqimi i astronautëve në hapësirë nuk i ngjan vakteve në restorante me yje Michelin, NASA ka përgatitur për një kohë të gjatë menynë 10-ditore të misionit Artemis II. Ekuipazhi ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e saj, duke marrë pjesë në testime të shumta shijesh. “Anëtarët e ekuipazhit provojnë, vlerësojnë dhe japin nota për të gjithë ushqimin në menynë standarde para fluturimit, ndërsa preferencat e tyre balancohen me kërkesat ushqyese dhe me atë që mund të transportojë Orion”, bëri të ditur NASA, e cila publikoi edhe menynë e plotë të misionit.
Komandanti Reid Wiseman dhe astronautët Victor Glover, Jeremy Hansen dhe Christina Koch kanë në dispozicion gjithsej 189 ushqime të ndryshme gjatë udhëtimit rreth Hënës. Në menu përfshihen makarona me djathë, mish viçi, brokoli i pjekur dhe madje 58 tortilla.
Pse tortilla është ushqimi më praktik në hapësirë
Tortillat janë ndër ushqimet më të preferuara të astronautëve, kryesisht sepse janë praktike për t’u konsumuar në kushte pa gravitet. Në to mund të vendoset mbushja, të palosen dhe të hahen pa krijuar grimca që do të lundronin brenda anijes.
Kafe, pije dhe shije nga shtëpia
Kafeja është gjithashtu shumë e kërkuar. NASA i ka siguruar ekuipazhit 43 filxhanë kafe, pak më shumë se 10 për secilin astronaut gjatë misionit 10-ditor. Përveç kafesë, ata kanë në dispozicion edhe të paktën nëntë pije të tjera, si limonadë, çaj jeshil, uthull molle, si dhe pije me shije çokollate, vaniljeje dhe luleshtrydhe. Sipas NASA-s, çdo astronaut ka dy pije pa ujë në ditë. Në Orion gjenden gjithashtu pesë lloje salcash pikante dhe disa ëmbëlsira, kryesisht biskota dhe çokollatë.
Astronauti kanadez Jeremy Hansen ka edhe pesë ushqime nga Kanadaja për ta kujtuar shtëpinë: salmon të egër, karkaleca me salcë, drithëra me dredhëza, biskota me krem panje dhe shurup panje. “Sasia e ushqimit për dy deri në tre ditë për secilin anëtar të ekuipazhit paketohet në një enë të vetme, duke u dhënë atyre fleksibilitet në zgjedhjen e vakteve gjatë misionit”, bëri të ditur NASA, transmeton Telegrafi.
Si ndikon mungesa e gravitetit te shija dhe ushqimi
Përvojat nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor tregojnë se mungesa e gravitetit kërkon marrje më të madhe kalorish, pasi trupi është vazhdimisht në lëvizje. Nga ana tjetër, rishpërndarja e lëngjeve në trup bën që fytyra e astronautëve të duket më e fryrë dhe ndikon në uljen e ndjesisë së shijes dhe aromës, njësoj si gjatë një ftohjeje.
Si përgatiten ushqimet në hapësirë
Pothuajse i gjithë ushqimi për astronautët përpunohet në Tokë përmes tharjes me ngrirje, më pas rihidratohet dhe ngrohet në hapësirë. Ekuipazhi i Artemis II përdor dozatorin e ujit në Orion për të rikthyer ushqimin në gjendje të konsumueshme dhe një ngrohës kompakt për përgatitjen e vakteve.
Nga Gagarini te Orion: evolucioni i ushqimit në hapësirë
Në krahasim me të kaluarën, ushqimi në hapësirë ka përparuar ndjeshëm. Në vitin 1961, kozmonauti rus Yuri Gagarin, njeriu i parë në hapësirë, konsumoi ushqim nga tuba alumini, pastë mishi dhe mëlçie, si dhe salcë çokollate, për të dëshmuar se njeriu mund të hajë edhe në mungesë graviteti.
/Telegrafi/