Në Kosovë, deri më tani, nuk ka konfirmim për raste të infektimit me variantin e ri të COVID-19, të njohur si “Stratus”, i cili po qarkullon në Mbretërinë e Bashkuar.
Kështu ka bërë të ditur për Radio Dukagjinin drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Vera Ndrejaj.
Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se ekziston rreziku për përhapje.
“Për këtë variant që e përmendët, nuk kemi konfirmim nga IKSHPK-ja. Sa i përket rrezikut të përhapjes së sëmundjeve infektive, natyrisht jo vetëm Covid 19 por me lëvizje- migrim të popullatës edhe sëmundje të tjera infektive mund të përhapen, pra migrimi e favorizon përhapjen e sëmundjeve infektive”.
Ndërkaq, infektologu Shemsedin Dreshaj vlerëson se asnjë vend në botë nuk mund të përjashtohet nga rreziku i përhapjes së këtij varianti të COVID-19.
“Në periudhën e globalizimit gjasat që të kemi përhapje globale të një infeksioni janë, mirëpo, të njohurat të deri sotme lidhur me këtë virus, nuk dëshmojnë që është diçka më i rrezikshëm se sa variantet paraprake të Covid-19 që i kemi evidentuar në botë dhe në vend. Niveli i imunizimit të popullatës si me vaksina si dhe kontakte të drejtpërdrejta me virusin e egër, kanë bërë atë që manifestimet klinike të nënvarianteve të Covid-19 të jenë më të buta se sa varianti origjinal”, theksoi Dreshaj.
Simptomat e infeksionit me variantin “Stratus” mund të ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme ose të gripit.

