I butë dhe njëkohësisht energjik, ky kombinim i veçantë ngjyrash po shndërrohet në trendin kryesor të sezonit pranverë verë 2026, sipas pasarelave më të njohura të modës
Pas dimrit të dominuar nga nuanca të qeta si bezhë dhe kafe, pranvera dallon për guximin dhe kreativitetin. Siç treguan sfilatat e modës, fokusi po zhvendoset drejt një ekscentriciteti më të theksuar dhe një palete më të pasur ngjyrash. Në të njëjtën kohë, minimalizmi vazhdon të ketë ndikim të fortë. Ndërsa tonet neutrale ia lënë vendin ngjyrave më të theksuara, mënyra e kombinimit të veshjeve ruan një elegancë të rafinuar, por dinamike.
Në pasarelat për pranverë verë 2026, kombinimet e ngjyrave janë të shumta. Shihen bashkime si kafe me tirkiz, rozë pudër me bordo, e kuqe e ndezur me blu kobalt, si dhe e verdhë e butë me jeshile sherbele. Megjithatë, një kombinim i papritur po veçohet dhe po bën bujë në rrjetet sociale: jeshile dhe rozë. Elegant dhe i guximshëm, ky dyshe ka të gjitha potencialet për të qenë trendi kryesor i këtij viti.
Ky kombinim na pëlqen veçanërisht te Burberry në një komplet me shkëlqim me motive katrore, si dhe te Dior në një stil tërësisht xhins, i përbërë nga mini fund dhe këmishë. Fendi e prezanton përmes një fanele të gjerë të kombinuar me fund midi të drejtë, transmeton Telegrafi.
Me pak fjalë, këto dy ngjyra nuk kufizohen vetëm në detaje, por ndërtojnë veshje të plota, duke luajtur me nuanca, tekstura dhe prerje të ndryshme, dhe duke sjellë një frymë të re inspirimi në modë.
Si ta kombinoni këtë dyshe ngjyrash në pranverë verë 2026?
Ky trend tashmë po përqafohet nga vajzat me stil, të cilat kërkojnë t’i japin më shumë gjallëri veshjeve pranverore. Jeshilja, qoftë me nëntonet e saj, kombinohet në mënyrë perfekte me rozën e butë.
Mund ta imagjinoni këtë dyshe me balerina në ngjyrë ulliri, xhinse të drejta dhe një këmishë të gjerë rozë të çelët. Po ashtu, një pulovër e thurur në ngjyrë sherebele e lidhur rreth belit mbi xhinse gri krijon një pamje moderne dhe të relaksuar.
Në fund, duke ndjekur shembullin e Bottega Veneta, mund të kombinoni shtresa të ndryshme brenda së njëjtës paletë ngjyrash për të krijuar kontrast në siluetë. Një bluzë polo rozë e hapur dhe një xhaketë kaki, e shoqëruar me një çantë jeshile, kombinohen bukur me një fund gri dhe këpucë në ngjyrë fildishi.
/Telegrafi/