Pas rrëshqitjes së dheut në rrugën “Malush Kosova” të Prishtinës, ekipet e kryeqytetit kanë nisur ndërhyrjet emergjente për sanimin e situatës.
Kryetari i komunës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se tashmë ka filluar mbushja e gropës, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen në këtë zonë deri në stabilizimin e plotë.
Ngjarja vjen pas incidentit të mëhershëm të rrëshqitjes së dheut në kryeqytet, për të cilin Rama ka ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj zyrtarëve përgjegjës.
Ai ka kërkuar pezullimin nga detyra të inspektorëve të përfshirë në këtë rast, deri në përfundimin e hetimeve.
Sipas tij, përveç pezullimeve, është iniciuar edhe një hetim i brendshëm për të verifikuar punën e inspektimeve në terren, si dhe është kërkuar nga Prokuroria që të nisë procedurat për zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, ekipet komunale dhe institucionet e sigurisë po vazhdojnë monitorimin e situatës në terren, me fokus në parandalimin e rreziqeve të tjera për qytetarët dhe infrastrukturën.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve deri në rikthimin e gjendjes në normalitet. /Telegrafi/