Kryeministri Hristijan Mickoski sot në deklaratë për media e përsëriti qëndrimin se Qeveria nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese në kushte, siç i cilësoi ai, në mënyrë të drejtpërdrejtë prekin identitetin maqedonas.
“Për shkak të politikave të këqija kriminale dhe tradhtare të qeverisë së mëparshme, pozita jonë është e tillë siç është. Por këto janë procese historike dhe ne do të luftojmë. Tek fqinji ynë lindor, politikanët për të zbatuar parimin e zhivkovizmit pritën dekada që të lindin politikanë të tipit të atyre që ishin në shtatë vitet e fundit. Kështu që, nëse duhet, edhe ne do të presim dekada. Por për politika që ndikojnë drejtpërdrejt në identitetin tonë, ndërsa nga ana tjetër nuk ofrojnë parashikueshmëri dhe një fund të qartë të atij procesi, nuk kam ndërmend, për sa kohë që unë jam kryetar i Qeverisë, me çdo kusht të hyj në një aventurë të tillë, tha Mickoski në një pyetje gazetareske pas fillimit të rikonstruksionit të Aeroportit “Shën Apostol Pavle” në Ohër.
Duke folur për qëndrimet e Bashkimit Evropian, i cili këmbëngul në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht për përparim, kryeministri theksoi se nuk ka ndërmend, me çdo kusht, të hyjë në një, siç e quajti ai, aventurë të tillë politike.
“Ne mund të hyjmë në aventurë. Ne nuk e injorojmë elefantin – elefanti është në dhomë, e sollën këta të mëparshmit, por pa pasur një fund të qartë, pa e ditur se çfarë përfiton komuniteti maqedonas në Bullgari, pa pasur përfundime të qarta nga ana e Këshillit Evropian, ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në çfarëdo aventure që do të na çonte sërish në ndonjë moçal tjetër politik, thotë ai.
Kryeministri theksoi se prioritet mbeten reformat dhe përmbushja e obligimeve ndaj Bashkimit Evropianm njofton Telegrafi. Sipas tij, qëllimi është që shteti të mbetet ndër kandidatët kryesorë në procesin e eurointegrimit, por pa kompromise që do të rrezikonin pozicionin kombëtar.
“Ne do ta kryejmë detyrën tonë të brendshme. Qëllimi ynë është që në agjendën reformuese dhe gjithçka që lidhet me të, ta realizojmë plotësisht, të jemi të parët, të jemi “frontrunners” e vërtetë, gjë që edhe po e bëjmë, t’i përmbushim të gjitha ato plane veprimi, ndër të cilat është edhe Plani i Veprimit për Pakicat – gjithçka që kërkohet nga ne do ta dorëzojmë. Nga aspektet e tjera, natyrisht jemi më të mirët krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor 6, dhe jam i bindur se deri në raportin e qershorit, edhe në pjesën e agjendës reformuese do të jemi më të mirët. Tani tashmë jemi krah për krah me më të mirin pas raportit të janarit, ndërsa në qershor do të jemi më të mirët. Nëse ata mendojnë se ndryshimi i Kushtetutës duhet të jetë kusht, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera të jemi më të mirët, atëherë më vjen keq, por këtu nuk ka bashkëbisedues të mirë pa u përmbushur detajet e tjera. Dhe secili duhet ta dijë se kjo çështje varet ekskluzivisht nga partia më e madhe politike në Maqedoni dhe nga kjo udhëheqje, e ajo është OBRM-PDUKM. Nëse dikush jeton në iluzion se do të gjejë përsëri ndonjë marionetë që do të bëjë diçka në shtet, gabon. Kjo punë nuk funksionon kështu, theksoi kryeministri Mickoski./Telegrafi/