Kombëtarja e Kosovës do të luajë me Turqinë në finalen vendimtare të Play-Off-it për Kampionatin Botëror. Fituesi shkon në Botëror, ndërsa humbësi mbetet jashtë. Një ndeshje që vendos fatin e vendit në arenën më të madhe të futbollit.
Kjo është ndeshja më e rëndësishme në histori të Kombëtares së Kosovës, pasi një fitore eventuale do të thotë se jemi në Kampionatin Botërorë, diçka e paimagjinueshme për një vend që ka vetëm 10 vite që merr pjesë në kualifikuese.
Përballja e së martës do të jetë e katërta mes Kosovës dhe Turqisë, pas tre sfidave të mëparshme në vitet 2014, 2016 dhe 2017.
Në takimin e parë, më 21 maj 2014 në Mitrovicë, Turqia fitoi 6-1, por ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi që do ta bënte Kosovën të njihej ndërkombëtarisht. Në atë kohë Turqia e nderoi Kosovën duke ardhur për të luajtur në vendin tonë, pasi luanim me fusnotë dhe askush nuk donte të përballej me Dardanët në miqësore.
Pamje nga ndeshja Kosovë – Turqi në vitin 2014 në Mitrovicë
Më pas dy ekipet u ndeshën në kualifikimet për Botëror, ku Turqia triumfoi 2-0 në Antalya dhe 4-1 në Shkodër.
Por mes gjithë sfidave dhe vështirësive, një lojtar qëndroi gjithmonë i palëkundur. Ai është Enis Alushi, i vetmi futbollist i Kosovës që ka luajtur të tre këto ndeshje nga fillimi deri në fund, duke dhënë gjithmonë maksimumin për vendin e tij.
Ish-mesfushori kosovar ka qenë pjesë e Dardanëve që nga ndeshjet e para, kur Kosova ende nuk ishte e njohur ndërkombëtarisht. Edhe pse luante në nivele të larta, nuk i tha kurrë “jo” vendit të tij, duke bërë krenar çdo tifoz kosovar.
Sot, në moshën 40-vjeçare, ai mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e Kombëtares së Kosovës, një ikonë që ka kontribuar jashtëzakonisht shumë si para pranimit në UEFA e FIFA, ashtu edhe pas pranimit me 6 ndeshje të tjera.
Në një intervistë për Telegrafin, Alushi kujtoi përballjet me Turqinë dhe rrugëtimin e Kosovës, duke treguar emocionet dhe krenarinë e jashtëzakonshme që ka përfaqësuar vendin e tij:
“Kanë qenë ndeshje shumë të vështira, sepse Turqia ka pasur gjithmonë shumë kualitet në ekipet e tyre. Ne në atë kohë kemi qenë shumë larg në krahasim me Turqinë”, thotë fillimisht Alushi për Telegrafin.
“Në të tri ndeshjet u pa dallimi në kualitetin individual të lojtarëve, kështu që nuk kemi mundur të nxjerrim rezultat pozitiv”, kujton atë kohë ish-mesfushori i shumë skuadrave gjermane.
Alushi e pranon se dallimi mes Kosovës së asaj kohe dhe Kosovës së sotme është shumë i madh.
“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në drejtimin e duhur dhe ka ngritur nivelin sportiv të ekipit në një nivel të ri”, vazhdon tutje ish-numri 5 i Dardanëve.
40-vjeçari ishte përjashtuar nga skuadra e tij Nurnberg pikërisht pse udhëtoi drejt Antalyas për të luajt me Kosovën dhe në atë kohë pikërisht për Telegrafin kishte dhënë një deklaratë të fortë: “E kisha të ndaluar nga klubi të luaja për Kosovën, pasi kam qenë i lënduar për gjashtë javë dhe nuk kisha ndeshje me klubin. Gjatë gjithë kësaj kohe kam pasur stërvitje individuale dhe kam qenë në gjendje shumë të mirë fizike. Ka qenë rastësi shërimi nga lëndimi pikërisht afër ndeshjeve të Kombëtares dhe kam vendosur t’i bashkohem Kosovës. E kam ditur vendimin e klubit, mirëpo pasi kam qenë në gjendje të mirë kam vendosur të udhëtoj drejt Antalyas për t’i ndihmuar Kosovës”.
Enis Alushi telegrafi.com
“Shumë vite kam luftuar për pranimin tonë në UEFA e FIFA. Kam luajtur në kushte katastrofale për ta përfaqësuar vendin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse un ndihme mirë fizikisht është gjë normale që të shkoj e ta përfaqësojë vendin tim. E kuptoj shqetësimin e klubit tim, por edhe ata duhet të kuptojnë se ka qenë një rrugë e gjatë për ne si shtet dhe si Kombëtare për të arritur deri këtu. Unë dua ta ndihmojë gjithmonë vendin tim dhe kjo është ajo që kam marrë këtë vendim”, kishte thënë Alushi në një rrëfim ekskluziv në vitin 2016 për Telegrafin.
Tani ai thotës se ka qenë gjithmonë privilegj për të që të luaj me fanellën e Kombëtares së Kosovës.
“Për mua, ka qenë gjithmonë një nder dhe privilegj të luaja për Kosovën. Edhe pse na kanë munguar shumë gjëra atëherë, krenaria ka qenë mbi të gjitha.”
“Ka qenë një kohë e mrekullueshme dhe krijoi kujtime të paharrueshme”, vazhdon Alushi.
3:”EPA
Krejt në fund ish-mesfushori i Koln, wehen, Paderborn, St Pauli, Nurnberg e Maccabi Haifa thotë se Kosova është zhvilluar shumë në vitet e fundit,teksa jep një parashikim për fitoren e Dardanëve.
“Jemi zhvilluar jashtëzakonisht shpejt si ekip. Është një mrekulli të kemi mundësinë të kualifikohemi për Kupën e Botës. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes, ekipi ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë.”
“Parashikimi im për këtë ndeshje është 2:1 për ne, dhe shkojmë në Botërorë”, përfundoi Alushi. /Telegrafi/