Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte ish-futbollisti i njohur kosovar Suad Keqi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Keqi ndau disa nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij, duke zbuluar një fillim interesant në sport, ai e nisi me pingpong, por tradita familjare e orientoi drejt futbollit, ku më pas do të ndërtonte një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
Ish-mesfushori foli edhe për kohën e tij te Prishtina, duke kujtuar trofetë dhe një gjeneratë që, sipas tij, u ndërtua mbi sakrificë dhe përkushtim. Ai përmendi gjithashtu kënaqësinë e të luajturit përkrah disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit kosovar të asaj kohe.
Një kapitull i rëndësishëm në karrierën e tij ishte edhe transferimi në Plovdiv të Bullgarisë, ku Keqi tregoi për përvojën ndërkombëtare dhe nofkën interesante që mori, e lidhur me emrin e një legjende të futbollit.
Keqi kujtoi gjithashtu momentet kur, vetëm 18 vjeç, u bë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në vitet e 90-ta, duke marrë pjesë në ndeshje miqësore në një periudhë sfiduese për futbollin kosovar.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e rrëfimit të tij ishte periudha shtatëvjeçare te Bashkimi Kumanovë, ku ai foli për dashurinë dhe mikpritjen që përjetoi, si dhe për një nga periudhat më të bukura të karrierës së tij.
Episodin e plotë me Suad Keqin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com