Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka zbuluar detaje rreth përpjekjeve të vazhdueshme të institucionit që drejton për ta bindur Brajan Grudën të përfaqësojë Kombëtaren shqiptare.
Sulmuesi me origjinë shqiptare, i cili ka lindur në Gjermani, ishte një nga talentet që FSHF-ja dëshironte ta afronte në radhët e kuqezinjve, por në fund ai vendosi të luante për Gjermaninë.
Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa të “Top Channel”, Duka ka konfirmuar se interesi për Grudën ka qenë i madh dhe se kontaktet me të janë zhvilluar vazhdimisht, por vendimi i futbollistit ka qenë gjithmonë në favor të përfaqësueses gjermane.
“Padyshim që, duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se i lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kemi në skuadër. Kemi provuar, por zgjedhja e tij ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur. Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe s’mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive”, deklaroi Duka.
Kreu i FSHF-së bëri të ditur se përpjekjet për ta bindur Grudën nuk kanë qenë të rastësishme dhe se Federata i ka ofruar mundësinë për të veshur fanellën kuqezi në vazhdimësi.
“Po, po, në çdo kohë i kemi ofruar, por vendimi i tij ka qenë që të përfaqësojë Gjermaninë”, theksoi presidenti i FSHF-së.
Gruda ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmoshat e ndryshme, përfshirë edhe U21, ndërsa tashmë rrugëtimi i tij ndërkombëtar është i lidhur me futbollin gjerman.
Kështu, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të Shqipërisë, FSHF-së i mbetet vetëm t’i urojë suksese talentit shqiptar në vazhdimësinë e karrierës së tij.

