Komisioni për Buxhet ka miratuar buxhetin e Komunës së Zubin Potok për vitin 2026, me shtatë vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Gjatë prezantimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se buxheti i kësaj komune për këtë vit kap vlerën rreth 3.6 milionë euro.
Ai sqaroi se buxheti nuk është miratuar brenda afateve të parapara, por theksoi se legjislacioni në fuqi parashikon procedura të veçanta për raste të tilla.
“Nëse buxheti i një komune nuk arrin të miratohet me kohë dhe të përfshihet në ligjin për ndarje buxhetore, atëherë ai, sapo të miratohet, dorëzohet në Ministrinë e Financave, e cila më pas e procedon për miratim në Qeveri dhe Kuvend”, deklaroi Murati.
Sipas tij, përkundër vonesës procedurale, buxheti i Komunës së Zubin Potokut është hartuar në përputhje me kufijtë dhe dispozitat ligjore në fuqi.
“Duke pasur parasysh se buxheti është brenda kufijve të përcaktuar dhe respekton dispozitat ligjore, rekomandimi i Ministrisë së Financave është që ai të miratohet, në mënyrë që të shmangen vështirësitë në planifikimin dhe menaxhimin financiar gjatë këtij viti”, theksoi ai.
Murati shtoi se përmbajtja e buxhetit nuk mund të ndryshohet nga Ministria e Financave apo komisioni parlamentar, por vetëm të procedohet për miratim në Kuvend. /Telegrafi/