Juristi Durim Berisha ka kundërshtuar publikisht qëndrimet e disa kolegëve të tij, duke theksuar se analizat e tyre për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit nuk janë ndërtuar mbi metodologjinë e mirëfilltë të së drejtës kushtetuese.
“I kam përcjellë deklarimet dhe shkrimet autoriale të kolegëve të mi të profesionit Bardhyl Hasanpapaj, Përparim Gruda, Faton D. Fetahu dhe Kadri Kryeziu dhe, me gjithë respektin për konstatimet e tyre, më duhet ta shpreh mospajtimin tim — jo pse kemi gjykime të ndryshme në rezultat — por për shkak se te asnjëri nga ta nuk kam parë se opinionet e tyre ndërtohen duke u bazuar në metodologjinë e njohur në të drejtën dhe gjyqësinë kushtetuese të vlerësimit të kushtetutshmërisë së akteve të organeve kushtetuese”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Sipas tij, vlerësimi i kushtetutshmërisë duhet të bazohet në përcaktimin e qartë të çështjes, standardit kushtetues dhe aplikimin logjik të fakteve, e jo në opinione të lira.
Në analizën e tij për dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit (6 mars 2026), Berisha arrin në këto përfundime kryesore:
Dekreti është antikushtetues, pasi në momentin e nxjerrjes nuk ishin plotësuar kushtet kushtetuese (as afati 60-ditor dhe as dështimi i votimit në raundin e tretë).
Afati 30-ditor për zgjedhjen e Presidentit nuk i jep Presidentit kompetencë për shpërndarje, pasi është vetëm afat procedural dhe jo bazë për veprim.
Nuk ekziston “shpërndarje automatike” e Kuvendit nga moszgjedhja e Presidentit brenda këtij afati.
Në përfundim, ai thekson se shpërndarja e Kuvendit është masë e jashtëzakonshme që lejohet vetëm në raste të përcaktuara qartë nga Kushtetuta dhe nuk mund të bazohet në interpretime të zgjeruara apo vullnet politik.
“Në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, shpërndarja e Kuvendit përbën masë përjashtimore, të lejueshme vetëm në rastet e parashikuara qartë dhe shprehimisht nga vetë Kushtetuta. Kjo zgjidhje nuk ka vetëm karakter tekstual, por pasqyron një zgjedhje themelore të kushtetutëbërësit për ta mbrojtur organin përfaqësues nga ndërhyrjet arbitrare dhe për ta ruajtur ekuilibrin institucional në kuadër të shtetit kushtetues demokratik”, ka shpjeguar tutje Berisha në analizën e tij në Facebook./Telegrafi/