Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë më 26 mars, në orën 20:45, në stadiumin “PGE Narodoëy”, në një nga sfidat më të rëndësishme të historisë së saj, e vlefshme për fazën play-off të Botërorit 2026.
Pas shpalljes së listës me 26 lojtarët e grumbulluar, trajneri Sylvinho doli sot (e shtunë) në konferencën zyrtare për media në “Shtëpinë e Futbollit”, ku shpjegoi zgjedhjet e tij për këtë grumbullim.
Nga risitë te mungesat, rikthimet e Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit, si dhe pritshmëritë për përballjen e parë ndaj Polonisë, trajneri Sylvinho iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp:
Më poshtë, konferenca e plotë e trajnerit Sylvinho:
Mungesat dhe risitë në listë – Si trajner nuk më pëlqen të qaj dhe të ankohem. Rei Manaj është një futbollist emblematik për ekipin, vendin, federatën, ka bërë shumë mirë me ne. Por ne duhet të përshtatemi me situatën, të qajmë nuk vlen, sepse kemi të tjerë, ky është avantazhi i federatës, se dera është e hapur dhe ka lojtarë të tjerë që vijnë. Manaj kishte një dëmtim të rëndësishëm, për fat të keq edhe Daku nuk ka asnjë minutë në 2026. Atëherë përshtatesh. Duhet të mendosh, rimendosh e bësh gjëra. Dera është e hapur, kemi 2-3 lojtarë që vijnë dhe jam shumë i lumtur padyshim edhe për ta. Sa i përket Pllanës e Pilos, prej kohësh jemi pas tyre duke i analizuar. Duke qenë se është një ndeshje e rëndësishme kemi hapësirën të shohim cilësitë e tyre. Për këtë arsye kemi grumbulluar 26 lojtarë në mënyrë që të kemi mundësi të bëjmë vlerësime se cilët lojtarë janë më të përshtatshëm. Kemi hapësirë 2-3 ditë përgatitje dhe më pas do të shohim.
Rikthimi i Muçit dhe Mehmetit – E vërtetë është nuk duhet të qajmë mungesat, duhet të shohim përpara. Kam besim te 26 lojtarët e grumbulluar i kishim menduar që më përpara. Pas dëmtimit të Manaj e rivlerësuam situatën dhe siç e thashë, duhet të përshtatemi me situatën me lojtarët që kemi. Muçin unë e shoh si sulmues, luan edhe në dy pozicione të tjera si sulmues krahu dhe trekuartist, është një lojtar që shënon, e gjen portën, ka tipare ofensive dhe më pak defensive. Mehmetin e kemi sjellë ne 3 vite më para dhe është rritur e përmirësuar shumë. E shoh si sulmues krahu, pavarësisht se te klubi ku luan, është në pozicionin e trekuartistit, por specifikisht është sulmues krahu. Njësoj siç thashë për Muçin, të cilin e shoh si sulmues. Të dy janë lojtarë që e gjejnë portën, të cilët shënojnë dhe në rastet kur nuk ke sulmues pykë që shënojnë, duhet të gjesh lojtarë që shënojnë. Lojtari që ka shënuar më shumë gola në këto tre vite është Bajrami me 7 gola, Asani me 6 dhe Asllani me 4 gola. Pra jo domosdoshmërisht duhet një lojtar si Manaj por ka opsione të tjera Mehmeti, Uzuni, Muçi, Mehmeti. Dhe janë lojtarë që mund të bëjnë mirë.
A ka diçka që nuk shkon me mbrojtjen që keni ftuar Pllanën dhe Pilon në këtë grumbullim? – Ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë për të ardhur këtu ku jemi sot. Dhe jam falënderues për të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Jo domosdoshmërisht janë të njëjtët lojtarë ata që kanë nisur këtë rrugëtim. Kjo nuk është një ndeshje për eksperimente, Stavro Pilo është me eksperiencë, është 25 vjeçar, është gati. Sa i përket Pllanës, është e njëjta. Kishim mungesë të një mbrojtësi qendre, herën e fundit kemi parë Cakën. Për një herë do bëjmë 26 dhe me Pllanën i cili njeh mirë kampionatin polak se luan atje, e kemi parë prej 6 muajsh, është një lojtar që vjen, të shohim atë që është në gjendje të bëjë. Nuk është eksperiment, është nevojë. Mund të shkonim me 23 lojtarë, por mendoj se është një ndeshje shumë e rëndësishme, merren 26 e pastaj të shohim. Kemi njerëz që vijnë me pak minuta, që janë kthyer një javë më parë. Një situatë e veçantë, pasi kemi lojtarë që kanë pak minuta. Kemi edhe lojtarë me situata specifike si Jasir Asani, kam folur me të së fundmi. Kam menduar si trajner që është ndeshje e rëndësishme, nuk është eksperiment, unë duhet të kem zgjedhje. Nuk mund të shkoj me 23, sipas meje marrim 26 që të zgjedhim. Të mos harrojmë që për të ardhur këtu, kemi bërë shumë sforco, përkushtim, motivim. I kam thënë të gjithë lojtarëve që për fat ekipi është i hapur dhe nuk janë të njëjtët nga marsi i kaluar e deri tani, por i falënderoj të gjithë që kanë bërë sforco për të ardhur këtu, për të gjithë punën që kemi bërë. Shkojmë në 100% për të bërë më të mirën, për ne, federatën, për kombin. Ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë për të ardhur këtu.
Mungesa e Seferit – Ne jemi të bindur për lojtarët që kemi përzgjedhur me të cilët ne mund të shkojmë përpara. Janë lojtarë që ne kemi besim dhe mund të përshtatemi dhe mund të bëjmë mirë. Ne kemi një dëshirë të madhe të luajmë dhe e përsëris që është një kënaqësi e madhe të përfaqësosh Shqipërinë në play-off për të shkuar në Botëror. Gjatë punës me stafin kemi riparë ndeshje të rëndësishme të play-off të 2022, për të kuptuar gjëra të tjera që ndodhin, ishin Suedia, Polonia, Çekia, kemi parë kualifikueset e Botërorit të kaluar. Ne kemi grumbulluar 26 lojtarë, dëshira është për më shumë por nuk mund t’i kemi të gjithë. Ky është një debat që ndodh kudo, përse more këtë e jo atë? Ndodh, e kam lexuar. Edhe Brazili për shembull ku është Ancelotti, Martinez në Portugali. Ne mendojmë për gjithçka por nuk mund të kemi gjithçka, sipas meje jemi të mbuluar në mesfushë dhe në mbrojtje. Ne duhet të mendojmë si të sjellim ekipin më afër zonës kundërshtare, se ke nevojë të shënosh, sepse nëse nuk shënon nuk shkon para. Jemi krenarë me lojtarët që kemi, kemi bërë zgjedhje, nuk mund të kem 30-32 lojtarët. I kam falënderuar të gjithë që kanë bërë rrugëtimin, por jemi të bindur se me këta 26 mund të ecim para, jam i bindur që me këta lojtarë kemi mundësinë të përshtatemi dhe të shkojmë para.
Nga Polonia në Poloni janë plot tre vite të Sylvinhos në krye të Kombëtares, a ndihet Sylvinho më i plotësuar dhe më i rritur profesionalisht në Kombëtare? – Ne sigurisht jemi rritur shumë si staf, si ekip kemi bërë një rrugëtim të bukur, kemi shkuar në Evropian, patëm ndeshjet e Ligës së Kombeve, jemi kualifikuar në fazën play-off dhe shpresoj të shkojmë në Botëror. I kemi para ndeshjet e Polonisë, kanë një trajner të mirë, janë skuadër e fortë dhe me lojtarë të fortë, jemi rritur ne, por edhe ata. Trajneri i tyre po bën mirë me skuadrën. Besoj që do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Sa i përket lojtarëve tanë kemi shumë kënaqësi t’i shohim kur stërviten, kanë cilësi teknike, posedim topi të mirë, janë shumë të shpejtë. Ndonjëherë ne si staf, Bulku, Zabaleta, Doriva dhe unë, jemi në thonjëza pak xhelozë për këta lojtarë të rinj se çfarë cilësish kanë dhe atë që mund të bëjnë në fushë. Jam i lumtur që jam trajneri i kësaj kombëtare që mund të bëjë shumë mirë. Doja të theksoja edhe një detaj tjetër për ndryshimin. Atë kundër Andorrës, pati një zhbllokim të lojës sapo hyri Nedim Bajrami, me një pasim të bukur dhe më pas me një krosim të bukur të Uzunit dhe Asllani që erdhi nga linja e dytë ku u shënua goli. Kjo ndodhi 20 minuta pasi Bajrami hyri në fushë. Unë them shpesh që jemi një dhe të gjithë mund të bëjmë maksimumin për këtë ndeshje.
– YouTube youtu.be
Me dëmtimin e Manajt dhe Dakut, sa i hapet rruga Brojës që të luaj si qendërsulmues dhe a ishte momenti për eksperimente duke qenë që keni grumbulluar tre mbrojtës të majtë? – Siç e thashë edhe më përpara, Pilo nuk është një lojtar 19-vjeç që nuk ka luajtur me një ekip të ligës së parë dhe nuk mund të grumbullohej. Kemi kohë që jemi pas tij dhe e kemi ndjekur. Aliji ka pasur një ndërhyrje kirurgjikale dy muaj më përpara dhe ka një muaj që është rikthyer. Ka bërë mirë me Kombëtaren, por nuk mund të rrezikoj me një lojtar që ndoshta nuk është në 100% e tij. Do e vlerësojmë gjendjen e tij sapo të nisë grumbullimi. E shoh si mundësi më tepër që u jepet lojtarëve, dhe kjo vlen edhe për Bujar Pllanën. Sa i përket Brojës si sulmues qendre nuk e di ende, ai ka një muaj e gjysmë që është jashtë fushe, javën e kaluar luajti dy minuta. Nuk e di ende, do t’i vlerësojmë lojtarët se në çfarë gjendje janë në momentin që do të vijnë në grumbullim. Duhet të përshtatemi me situatën dhe lojtarët që kemi këtu. Është e rëndësishme që pas vlerësimit që ne do të bëjmë në fushë të hyjnë ata lojtarë që vënë kundërshtarin në vështirësi dhe që mund të bëjnë mirë me skuadrën. E ritheksoj përsëri impaktin që pati Bajrami dhe Uzuni, një ndikim “brutal” kundër Andorrës. Edhe ata që futen nga stoli mund të bëjnë diferencën. Kemi 3 ditë stërvitje dhe do t’i shikojmë.
Serbi-Poloni, mund të bëni një krahasim se kush është skuadra më e mirë? – Të kthehesh te një ekip që kemi luajtur dy herë, brenda dhe jashtë, unë preferoj të flas për Poloninë, që është kundërshtari i radhës. Është diçka e ngjashme mes tyre, që mbrohen mirë dhe shfrytëzojnë hapësirat. Polonia është përmirësuar shumë si skuadër me trajnerin Urban. Ka bërë shumë mirë në kualifikueset e fundit, mbrohet mirë, është agresive dhe shfrytëzon shumë hapësirat me shpejtësi dhe cilësi. Futbollistët shënojnë, kanë 3-4 lojtarë që mbërrijnë në zonë e finalizojnë, janë fizikisht të fortë, agresivë dhe shfrytëzojnë hapësirat. Kanë diçka të ngjashme me Serbinë, por në përgjithësi janë të ndryshme. Poloninë e ka përmirësuar shumë trajneri Urban.