Barcelona po harton një plan për të ardhmen e repartit ofensiv këtë verë, ku pjesë e rëndësishme mbetet edhe Robert Lewandowski.
Edhe pse pritej që sulmuesi polak të largohej në fund të kontratës, zhvillimet e fundit tregojnë se klubi mund t’i ofrojë një marrëveshje të re, vendimi final pritet të merret në muajt e fundit të sezonit.
Lewandowski, i cili mbush 38 vjeç në gusht, po kalon një nga sezonet më pak bindëse me katalanasit.
Para dopietës ndaj Newcastle United, ai kishte shënuar vetëm dy gola në 10 ndeshje.
Interesi për të nuk mungon, me oferta nga MLS, Arabia Saudite dhe Serie A, por ende nuk ka një propozim konkret nga Barcelona.
Presidenti Joan Laporta është shprehur publikisht në favor të rinovimit me Lewandowskin, duke ia lënë vendimin përfundimtar drejtorit sportiv Deco.
Sipas raportimeve, klubi synon t’i ofrojë një kontratë të re me pagë më të ulët, duke e parë në një rol të ngjashëm me atë të Cristhian Stuani te Girona, një “super-zëvendësues” që hyn në momentet vendimtare.
Stuani ka treguar efikasitet të lartë në këtë rol, me 44 kontribute në gola në vetëm 4,192 minuta gjatë tre viteve e gjysmë të fundit.
Në moshën 39-vjeçare, ai vazhdon të jetë vendimtar, duke shënuar katër gola në vetëm 291 minuta këtë sezon, një model që Barcelona synon ta aplikojë edhe me Lewandowskin.
Ndërkohë, kjo strategji hedh dyshime mbi të ardhmen e Ferran Torres.
Me interesimin për Julian Alvarez dhe qëndrimin e mundshëm të Lewandowskit, hapësirat për Torres mund të ngushtohen.
Edhe pse ai ka refuzuar ofertat për t’u larguar dhe ka treguar se mund të jetë vendimtar, situata aktuale nuk duket në favor të tij. /Telegrafi/