Përzgjedhësi i Zvicrës Murat Yakin ka konfirmuar se po e shikon nga afër mesfushorin sulmues të Thun, Kastriot Imerin.
Imeri ka luajtur për ekipin A të Zvicrës për herë të fundit në vitin 2021 në sfidën ndaj Italisë për kualifikueset e Evropianit, megjithatë që atëherë s’është ftuar nga “Helvetikët”.
Sidoqoftë, me formën fantastike që po kalon këtë edicion të Thun, skuadër që po shkon drejt titullit kampion – Imeri është sërish në “radarin” e Zvicrës.
Yakin publikisht në konferencë për media ka bërë të qartë se si Imeri ashtu edhe mbrojtësi Ethan Meichtry, janë kandidatë seriozë për t’u ftuar për Botërorin 2026.
“Po e ndjekim nga afër ekipin e Thun. Dominimi i tyre ishte i papritur, por i kënaqshëm. Jam shumë i lumtur që po shfaqin këtë vazhdimësi të fortë. Kastriot Imeri është në listën tonë të shkurtër. Ai e ka dëshmuar kualitetin dhe mund të jetë opsion për ne”.
“Kam shumë lojtarë që më duhet të zgjedhë ndërmjet tyre, ka shumë garë. Por, këta dy lojtarë janë në radarin tonë”, deklaroi ai.
Megjithatë, Yakin nuk e përmendi fare emrin e mesfushorit Valmir Matoshi, i cili së fundmi e la të hapur mundësinë për të luajtur edhe për kombëtaren e Kosovës.
Kujtojmë, Imeri këtë edicion ka zhvilluar 23 paraqitje për skuadrën zvicerane për të kontribuar me gjashtë gola e gjashtë asistime në proces./Telegrafi/