Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar këtë të martë pas votimit me 79 vota pro në seancën plenare të Kuvendit, me votat e mazhorancës lidhur me rezolutën për të shpallur Iranin vend sponsor të terrorizmit.
Berisha në deklaratën e shpërndarë thotë se Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve.
Deklarata e Partisë Demokratike të Shqipërisë:
Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.
Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh ketyre vendeve solidaritetin e saj të plotë.
Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.