Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me pajtimin e Albin Kurtit me Bashkimi Evropian për gjetjen e një modaliteti për Ligjin për të Huajt.
Hoti ka kritikuar qeverinë, duke thënë se kryeministri Kurti tash po detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele, pas disa vitesh sanksionesh dhe kritikash nga Bashkimi Evropian dhe aleatët ndërkombëtarë.
Sipas tij, në fillim të mandatit në vitin 2021, Kurti kishte braktisur dialogun për njohje reciproke dhe për një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme me Serbia.
Hoti theksoi se në atë kohë ekzistonte një dakordim i gjerë me aleatët ndërkombëtarë që dialogu të zhvillohej vetëm për një marrëveshje të tillë përfundimtare.
“Në atë marrëveshje përfundimtare do të adresoheshin të gjitha çështjet e mbetura në dialogun teknik duke marrë për bazë normat dhe standardet ndërkombëtare të normalizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror”, ka shkruar Hoti.
“Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je”, ka vijuar Hoti në reagimin e tij./Telegrafi/