Skuadra kosovare Lepenci ka optimizëm të lartë se do ta arrijë inkuadrimin në Ligën e Parë.
Këtë sezon, me ndihmën e madhe të tifozëve – Lepenci është një nga tre kandidatët pranë Mitrovicës dhe Vllaznisë së Pozhoranit që po lufton për ngjitjen në një divizion më lartë.
Telegrafi ka shkuar në një stërvitje që zhvilloi skuadra në Kaçanik, ku trajneri Astrit Fazliu si dhe kapiteni Elvis Koraqi shprehën optimizëm se do të sigurojnë objektivin.
“Po realisht mirë e kemi nis në fillim, me një ekip me lojtarë të ri, janë larguar disa që kanë qenë vitin e kaluar. Kemi provuar të konsolidojmë një ekip me lojtarë të rinj, me përvojë, ku kemi bërë një kampionat shumë të mirë dhe jemi në zonën ku veç hyjmë në Ligën e Parë”.
“Po objektivi veç u kanë prej fillimit i qartë, edhe pse ne nuk kemi dalë shumë si staf, ose si ekip qysh dilet në fillim por e kemi pasur të hyjmë me patjetër. Pra ne brenda grupit e kemi pasur qasjen dhe e kemi ditur se do të punojmë për të hyrë në Ligën e Parë”.
Ndërkohë, kapiteni Elvis Koraqi deklaroi se pas startit jo të mirë, skuadra u këndellë shpejtë dhe tani të gjithë besojnë se do të arrihet objektivi.
“Këtë edicion e kemi filluar me rezultate jo të mira, por jemi rikthyer. Kemi bërë një gjysmësezon shumë të mirë, me trajnerin i kemi kompletuar planet që i kemi pasur dhe ka shkuar shumë mirë”.
“Jemi në vendin e dytë, tre pikë larg vendit të parë. Besoj se do të jetë një garë e fortë mes tri ekipeve, por besoj se e kemi skuadrën më të mirë në ligë dhe kemi kualitet, cilësi, trajnerin si dhe stafin që na rrinë mbrapa për çdo sen prandaj besoj se e arrijmë objektivin për Ligën e Parë”.
Kujtojmë, Lepenci aktualisht ka 50 pikë, tre më pak se Mitrovica pas 20 xhirove të zhvilluara./Telegrafi/