Drejtori i Inspektoratit në Malishevë, Jakup Gashi, ka bërë të ditur se inspektorët komunal kanë ndërmarrë veprime pas zbulimit të një lokali që ushtronte veprimtari ilegale të lojërave të fatit.
“Rasti u identifikua nga Policia e Malishevës, e cila konstatoi se në lokal po përdoreshin aparate për lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin”, tha drejtori Gashi.
Sipas tij, në bashkëpunim me Policinë, Inspektorati Komunal ka njoftuar edhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës. Gjatë aksionit janë konfiskuar pesë aparate të lojërave të fatit, ndërsa lokali është mbyllur deri në procedurat e mëtejshme ligjore.
Drejtori i Inspektoratit theksoi se veprime të tilla janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe ruajtjen e rendit ligjor në komunë. /Telegrafi/