Trajneri i Dinamo Ferizajt, Arsim Abazi, dhe mesufshori Enhar Cahkolli, kanë dhënë një intervistë për Telegrafin ku kanë folur për garën në Ligën e Parë të Kosovës, duke theksuar se kampionati këtë sezon është bërë shumë më interesant dhe i hapur për disa skuadra që synojnë kreun e tabelës.
Sipas Abazit, konkurrenca është e fortë dhe lufta për vendet që dërgojnë në Superliga e Kosovës pritet të vazhdojë deri në javët e fundit të sezonit.
“Rrjedha e kampionatit është bërë shumë interesante, sepse janë disa ekipe që po luftojnë për kreun e tabelës. Do të jetë një garë shumë e fortë deri në fund dhe nuk dihet se kush do të arrijë të inkuadrohet në Superligë”, u shpreh Abazi.
Ai theksoi se presioni është i pranishëm te të gjitha skuadrat, sidomos në këtë fazë të sezonit kur çdo pikë ka peshë të madhe në renditje.
Foto: Dinamo Ferizaj
“Jemi në ndeshjet e fundit të kampionatit dhe ato gjithmonë janë shumë interesante. Çdo pikë është shumë e rëndësishme për të gjitha skuadrat”, tha ai.
Abazi rikujtoi se që nga momenti kur mori drejtimin e Dinamo Ferizaj, objektivi ka qenë i qartë – lufta për kreun e tabelës dhe për një vend në elitën e futbollit kosovar.
“Kur e kam marrë skuadrën e Dinamos, e kam marrë me ambicie të mëdha, për të luftuar për vendet e para. Jemi në rrugë të mirë dhe po punojmë që ndeshje pas ndeshjeje të afrohemi drejt objektivit”, theksoi ai.
Foto: Arsim Abazi
Në fund, Abazi nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen qyteti i Ferizajt të ketë një derbi në elitë, duke theksuar se një përballje e tillë do të ishte shumë interesante për tifozët dhe futbollin në qytet.
“Gjithmonë është mirë kur ka derbi në qytet. Interesimi rritet dhe bëhet shumë më interesante për të gjithë”, përfundoi Abazi për Telegrafin.
Ndërkohë, futbollisti i Dinamos, Enhar Cakolli, ka theksuar se pavarësisht vështirësive të sezonit, skuadra ka treguar stabilitet dhe vazhdon të mbetet e fokusuar në objektivin kryesor – ngjitjen në Superligë.
“Sezoni ka qenë shumë i vështirë, por ne kemi treguar formë të lartë si ekip. Së bashku me kryesinë e klubit dhe me presidentin Xhevat Rushiti, që nga fillimi i sezonit kemi pasur objektiva të qarta për inkuadrim në Superligë dhe këto objektiva do të vazhdojnë deri në fund”, u shpreh Cakolli.
Foto: Enhar Cakolli
Ai theksoi gjithashtu se gara në Ligën e Parë është shumë e ngushtë, pasi disa skuadra kanë grumbulluar pikë të përafërta dhe mbeten pretendente për ngjitje në elitë.
“Disa ekipe kanë treguar formë të lartë dhe kjo shihet edhe nga pikët që kanë grumbulluar. Nga Ramiz Sadiku deri te Vushtrria është një garë shumë e ngushtë dhe shumë skuadra janë pretendente për inkuadrim në Superligë”, përfundoi Cakolli për Telegrafin.
Dinamo e Ferizajt mbetet një nga ekipet që synon të përfundojë sezonin në zonën që siguron ngjitjen në elitën e futbollit kosovar, ndërsa gara në Ligën e Parë pritet të mbetet e hapur deri në fund të kampionatit. /Telegrafi/