Në një sezon ku vëmendja e madhe në La Liga shkon zakonisht te yjet e mëdhenj si Robert Lewandowski, Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe Julian Alvarez apo talentet e rinj si Lamine Yamal, dy sulmues më pak të përfolur po bëjnë një sezon të jashtëzakonshëm.
Bëhet fjalë për kosovarin Vedat Muriqin e Mallorcas dhe kroatin Ante Budimir të Osasunas, shkruan The Guardian.
Dy sulmuesit kanë realizuar së bashku 31 gola në kampionat këtë sezon, duke u bërë armët kryesore të skuadrave të tyre.
Historia e “Piratit” nga Kosova
Muriqi, që në Spanjë njihet si “Pirati”, ka një histori të veçantë. Sulmuesi nga Kosova u rrit në kushte të vështira dhe në fillimet e karrierës te KF Liria në Prizren shpesh kishte vështirësi edhe për të gjetur këpucë futbolli për shkak të madhësisë së madhe të këmbës.
Në një moment, një teze nga Finlanda i dërgoi një palë këpucë numër 48.5 – të prodhuara për ragbi – por që për të ishin zgjidhja e vetme për të vazhduar të luante.
Me kalimin e viteve, Muriqi u shndërrua në një nga sulmuesit më të rëndësishëm të Mallorcas dhe një idol për tifozët në ishull.
Ndeshja dramatike, Pirati dy gola, Mjellma ia heq gëzimin
Fundjavën e kaluar, në barazimin dramatik 2-2 mes Osasunës dhe Mallorcas, Muriqi realizoi dy gola dhe dukej se do t’i siguronte tri pikë skuadrës së tij.
Sulmuesi kosovar arriti në 18 gola në La Liga këtë sezon, një shifër mbresëlënëse për një skuadër që lufton për mbijetesë.
Megjithatë, në skenë doli “Mjellma”. Ante Budimir, që ka marrë nofkën “Mjellma”, realizoi golin e barazimit në minutat shtesë, duke i dhënë një pikë shumë të rëndësishme Osasunës.
Sulmuesi kroat është gjithashtu një nga figurat më të rëndësishme të klubit nga Pamplona dhe mban rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e Osasunës në La Liga.
Dy histori të ngjashme
Edhe pse karakteret e tyre janë të ndryshme – Budimir më i qetë, ndërsa Muriqi më karizmatik – të dy kanë shumë të përbashkëta.
Të dy vijnë nga Ballkani dhe familjet e tyre u prekën nga luftërat në rajon: familja e Budimirit u zhvendos nga Bosnja në Kroaci, ndërsa ajo e Muriqit nga Kosova në Shqipëri.
Karrierat e tyre nuk kanë qenë të lehta. Budimir nuk shënoi asnjë gol në ligë gjatë periudhës në Gjermani, ndërsa Muriqi pati vështirësi edhe gjatë aventurës te Lazio.
Megjithatë, të dy gjetën formën më të mirë në Spanjë dhe pikërisht në moshën mbi 30 vjeç po përjetojnë sezonet më të mira të karrierës.
Heronjtë e klubeve të tyre
Muriqi ka realizuar 58 për qind të golave të Mallorcas, ndërsa Budimir 40 për qind të golave të Osasunës këtë sezon.
Edhe pse nuk luajnë për gjigantët e futbollit spanjoll si Real Madrid apo Barcelona, dy sulmuesit janë bërë figura të pazëvendësueshme për skuadrat e tyre.
Në një epokë të dominuar nga superyjet dhe statistikat spektakolare, “Pirati” dhe “Mjellma” po dëshmojnë se në futboll ka ende vend për sulmuesit klasikë – luftarakë, këmbëngulës dhe vendimtarë. /Telegrafi/