Serbia gjatë pesë viteve të fundit ka importuar sisteme të avancuara armatimi nga të paktën 13 vende, ndërsa furnizuesit kryesorë kanë qenë Kina dhe Rusia, sipas të dhënave të publikuara nga Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI).
Raporti i institutit suedez tregon se Kina ka qenë partneri më i madh i Serbisë në furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme. Ndërkohë, donacionet më të mëdha ushtarake për Beogradin kanë ardhur nga Rusia dhe Bjellorusia.
Sipas ekspertëve të sigurisë, Serbia ka shfrytëzuar gjithashtu ndryshimet në sigurinë globale dhe konfliktet ndërkombëtare për të rritur investimet në armatim dhe për të modernizuar kapacitetet e saj ushtarake.
Në të njëjtën kohë, analistët theksojnë se Beogradi ka përdorur edhe zhvillimet rajonale për të përforcuar narrativën se vendi është i rrezikuar nga fqinjët. Si shembull përmendet reagimi i zyrtarëve serbë ndaj bashkëpunimit të sigurisë mes Kosovo, Albania dhe Croatia, i cili nga Beogradi është paraqitur si një kërcënim për sigurinë e Serbisë.
Megjithatë, sipas ekspertëve, ky bashkëpunim nuk përbën një aleancë ushtarake formale. Ai kufizohet kryesisht në ushtrime të përbashkëta, trajnime dhe koordinim aktivitetesh të sigurisë, të cilat në shumicën e rasteve zhvillohen në kuadër të NATO.
Raporti paralajmëron se kombinimi i rritjes së shpenzimeve ushtarake me retorikë të ashpër politike dhe raportime sensacionaliste mund të ndikojë në perceptimin e sigurisë në rajon.
“Një rritje e ndjeshme e përqindjeve shpesh duket dramatike, por kur kombinohet me retorikë të ashpër politike dhe raportime sensacionaliste, krijon një ndjenjë pasigurie midis fqinjëve dhe shërben si justifikim për investime të reja ushtarake”, thuhet në raport.
Analiza e publikuar nga SIPRI vlerëson se këto zhvillime mund të ndikojnë në dinamikën e sigurisë në Ballkan, në një kohë kur rajoni mbetet i ndjeshëm ndaj tensioneve politike dhe gjeopolitike.
Vuçiq akuzon vendet e rajonit derisa vetë Serbia armatoset
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më parë kishte hedhur akuza ndaj Shteteteve e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia janë të përfshira drejtpërdrejt në armatosjen e Kosovës.
“Amerikanët po i armatosin shqiptarët në Kosovë, ashtu si edhe Turqia. Qëllimi është sulm ndaj Serbisë dhe popullsisë serbe,” deklaroi Vuçiq.
Vuçiq po ashtu ka akuzuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën se po krijojnë një “aleancë ushtarake” që synon rrezikimin e Serbisë.
Sipas Vuçiqit, aleanca u formua për të pritur mundësinë e shpërthimit të një konflikti në Evropë, në mënyrë që, nëse kjo ndodh, shtetet që përbëjnë aleancën të mund ta sulmojnë Serbinë nga disa drejtime të ndryshme.
Narrativa e ndërtuar nga Vuçiq nuk mbështetet në argumente reale.
Së pari, nuk ekzistojnë prova për një qëllim sulmues, qoftë dokumente apo plane operative, që të vërtetojnë pretendimet se ky bashkëpunim është drejtuar kundër Serbisë.
Së dyti, deklaratat zyrtare të palëve të përfshira e mohojnë këtë pretendim. Vende si Kroacia dhe Shqipëria, të cilat janë anëtare të NATO-s, kanë theksuar se marrëveshja nuk kërcënon askënd.
Së treti, përpjekja për të paraqitur aleancën si një plan sulmues bie ndesh me kontekstin e politikës së jashtme të vendeve anëtare të NATO-s./TheGeopost.