Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Klinikën e Nefrologjisë me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Veshkave, e cila këtë vit shënohet nën moton: “Veshka të shëndetshme për të gjithë – kujdesemi për pacientët dhe mbrojmë planetin”.
Sëmundja kronike e veshkave paraqet një sfidë serioze globale shëndetësore, ndërsa shkaqet më të shpeshta të dëmtimit të veshkave janë diabeti dhe presioni i lartë i gjakut.
“Ministria e Shëndetësisë jep mbështetje të fuqishme për dhurimin e organeve dhe vazhdimisht punojmë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtij akti të lartë human. Me këtë rast, në bashkëpunim me sektorin civil, deri më tani janë mbajtur tribuna në Ohër dhe Manastir, ndërsa më 27 mars do të mbahet edhe një tribunë në Shtip. Qëllimi i këtyre tribunave është që përmes pjesëmarrjes së mjekëve ekspertë në fushën e transplantimit, pacientëve, donatorëve dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare, të hapet një diskutim publik për rëndësinë e dhurimit të organeve, faktet mjekësore, aspektet ligjore, si dhe historitë jetësore të pacientëve që presin ose që tashmë kanë marrë transplantim”, theksoi ministri Aliu.
Ministria e Shëndetësisë çdo vit zbaton edhe një program për sigurimin e mjeteve për trajtimin e pacientëve me dializë, i cili përfshin personat në hemodializë pa sigurim shëndetësor, furnizimin me vaksina kundër hepatitit B, si dhe aktivitete edukative për parandalim.
Në vendin tonë rreth 85% e pacientëve me dështim terminal të veshkave trajtohen me hemodializë, ndërsa rreth 15% me transplantim të veshkës. Me këtë rast u bë apel për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e transplantimit, si një akt që shpëton jetë dhe përfaqëson shprehjen më të lartë të solidaritetit njerëzor.