Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me rolin e diplomatëve në raport me institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Ai u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se ndërhyrje të tilla mund të kenë pasoja serioze për vendin.
“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka shkruar Rrustemi.
Debati rreth rolit të Gjykatës Kushtetuese, është intensifikuar pas vendimit të saj për të vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Gjykata ndaloi përkohësisht çdo veprim që lidhet me këtë dekret deri në fund të marsit, me arsyetimin se masa synon të parandalojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve”.
Si pasojë e kësaj mase, presidentja nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk mund të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. /Telegrafi/