Barcelona dukej se po afrohej drejt nënshkrimit të përhershëm të Marcus Rashford këtë verë, por marrëveshja nuk është aspak e sigurt.
Sulmuesi i huazuar nga Manchester United ka të ngjarë t’i kushtojë klubit katalanas plot 30 milionë euro, që është klauzola e blerjes në kontratën e tij, ndërsa duhet marrë parasysh edhe paga e lartë që ai përfiton. Rashford gjithashtu i ka bërë të ditur Manchester United se nuk ka ndërmend të rikthehet te klubi.
Reprezentuesi anglez ka pasur një sezon me ulje-ngritje në ‘Camp Nou’, duke treguar formë të shkëlqyer në disa periudha, por duke kontribuar me 10 gola dhe 13 asistime gjatë mungesave për shkak dëmtimi të Raphinha.
Nga ana e tyre, si Rashford ashtu edhe trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, kanë shprehur dëshirën që ai të qëndrojë, por problemet e Barcelonës me kufirin e pagave bëjnë që asnjë marrëveshje të mos jetë e garantuar.
Sipas Marca, drejtori sportiv Deco ka identifikuar dy alternativa për Rashford nëse transferimi nuk realizohet.
Një nga alternativat është ish-lojtari i klubit Ez Abde, i cili ka lënë përshtypje këtë sezon te Real Betis. Pas një viti të parë të përzier, Abde është shndërruar në një kërcënim më të rregullt në skuadrën e Manuel Pellegrini.
Tani një lojtar i rregullt në formacion, reprezentuesi i Marokut ka nëntë gola dhe shtatë asistime këtë sezon, ndërsa Barcelona zotëron 20% të së drejtës nga një transferim i ardhshëm, çka do të thotë se çdo marrëveshje mund të vijë me një zbritje.
Opsioni tjetër në listën e Deco është Jan Virgili, i cili u largua nga klubi për t’iu bashkuar Mallorcas verën e kaluar për shkak të mungesës së mundësive në ekipin e parë pas ardhjes së Rashford.
19-vjeçari po kalon një sezon debutues shumë të mirë në La Liga, me gjashtë asistime, pavarësisht se nuk ka qenë gjithmonë titullar.
Barcelona e shiti Virgilin për 3.5 milionë euro, por në rastin e tij klubi katalanas zotëron 50% të së drejtës nga një transferim i ardhshëm të talentit të ri./Telegrafi/