Rrugët e Julian Brandt dhe Borussia Dortmund do të ndahen në fund të sezonit. Lajmi u konfirmua zyrtarisht të shtunën në mbrëmje nga drejtori sportiv Lars Ricken.
Kontrata e 29-vjeçarit, e cila skadon në fund të sezonit, nuk do të rinovohet.
“Pati diskutime të hapura, pas të cilave ramë dakord që kontrata që po skadon nuk do të zgjatet”, tha Ricken për Sky Sports.
Pas shtatë vitesh me klubin gjerman, aventura e Brandt me verdhezinjtë do të marrë fund. Sipas raportimeve, paraqitjet e dobëta të fundit të ish-lojtarit të Bayer Leverkusen kanë qenë ndër arsyet kryesore për këtë vendim.
Mesfushori gjerman pritet të kërkojë një sfidë të re në karrierë. Një nga opsionet e mundshme është kalimi ne Ligen Premier, ku klube si Liverpool, Aston Villa, Newcastle United dhe Tottenham Hotspur kanë shprehur interesim për të.
Interes për lojtarin ka edhe nga kampionate të tjera evropiane, me klubet italiane si Roma, Milan dhe Napoli që e duan, ndërsa një transferim te një klub tjetër brenda Bundesliga duket pak i mundshëm. /Telegrafi/